Guvernatori i del në mbështetje kryeministrit Rama

Në ditën e dytë të aksionit që ka ndërmarrë qeveria kundër informalitetit në ekonomi ka reaguar edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Lajme

02/09/2015 23:57

Përmes një konference për shtyp sot pasdite, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, Sejko është shprehur në mbështetje të këtij aksioni, që sipas tij do të japë efekte pozitive në ekonominë e vendit.

Nëse rikthehemi pas në kohë, kujtojmë që kandidatura e Sejkos për postin e Guvernatorit, u refuzua fillimisht nga kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës.

Emri i tij vinte si propozim i kreut të shtetit, Bujar Nishani dhe njëkohësisht kishte mbështetje në prapaskenë nga opozita. Por disa muaj më vonë Sejko ndoshta  e ka kuptuar që për të siguruar një lloj jetëgjatësie në krye të Bankës së Shqipërisë, duhet me patjetër të jetë në krah të mazhorancës, e në mënyrë të posaçme në mbështetje të kryeministrit Rama.

Kështu mund të lexohet qëndrimi i tij i sotëm lidhur me aksionin e tatimorëve, aksion që nga opozita, por edhe ekspertë të ekonomisë shihet më shumë si një lëvizje për të mbushur “gropën” e të ardhurva në buxhet sesa si një vendosmëri për të formalizuar ekonominë./Lapsi.al/