Grabovci thotë se dalja nga kriza bëhet me dialog

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabvoci, insiston se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza politike në vend, është rikthimi i dialogut.

Lajme

27/01/2016 12:50

Grabovci në një prononcim për Indeksonline ka thënë se veprimet e opozitës janë tendencioze për të bllokuar punën e Kuvendit.

“Siç e kemi thënë shumë herë që nga koha e tendencës për të bllokuar Kuvendin, se zgjidhja e vetme është kthimi i dialogut në institucione si e vetmja alternative që duhet të mbizotëroj”, ka thënë Grabovci.

Ai ka vlerësuar se pozita po tenton çdo ditë që të ketë bashkëbisedim me zyrtarë të opozitës, duke thënë se Partia Demokratike nuk ka logjikë përjashtuese kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve të vendit.

“Ne pavarësisht ndasive në koncept të shtet-bërjes natyrisht se nuk jemi në hasmëri me kolegët opozitar, dhe natyrisht se kemi bashkëbisedim për mënyrën e zgjidhjes se problemeve tona të përbashkëta. Ne, nuk udhëhiqemi nga logjika përjashtuese, andaj për çdo ditë përpiqemi të kemi komunikim më të gjithë pa përjashtim, për faktin se Kosova dhe qytetaret e saj kërkojnë zgjidhje të situatës e cila i ka rënduar shumë procese të zhvillimit të vendit”, ka thënë Grabovci.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, është shprehur i bindur se zgjedhja e Hashim Thaçit president i vendit është punë e kryer pasi, sipas tij, koalicioni qeverisës ka numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit.

“Po, Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës ashtu siç është e përcaktuar me Marrëveshjen PDK-LDK. Koalicioni, siç dihet, ka numrat e mjaftueshëm për të realizuar pa pengesë zgjedhjen kushtetuese të Presidentit të Kosovës në afatin ligjor e kushtetues të paraparë”, është shprehur Grabovci.

Njëri prej dyshimeve si shkak i “tollovisë” politike në vend, është përmendur edhe themelimi i Gjykatës Speciale. Por, për Grabovcin kjo nuk është arsyja pse opozita po vazhdon të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. Ai mendon se është kryekëput arsye për të marrë pushtetin nga ana e opozitës.

“Jo nuk besoj, tashmë Gjykata Speciale ka marr miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe është proces që nuk ndalet! Është e natyrshme, dhe ne e kuptojmë, qe opozita ka qëllime politike të marrjes se pushtetit. Por, nuk po e kuptojmë dhe nuk janë as të natyrshme e as demokratike, metodat të cilat po i përdorin për të ardhur në pushtet”, ka thënë Grabovci.

E paralajmërimin e protestës më 17 shkurt nga opozita, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, thotë se kjo protestë e thirrur nga opozita është e panevojshme dhe e cila do të dëmtoj rëndë imazhin e Kosovës në një ditë të madhe, siç është ajo e shpalljes së Pavarësisë së vendit.

“E vlerësoj se është tërësisht e pa nevojshme, protestë e cila do të prishë imazhin e Kosovës në atë ditë festive për qytetarët e Kosovës. Kjo protestë ka për qellim manipulimin e masës festive dhe ka tendencë dikush nga opozita për të prish festen e madhe. Ne e kuptojmë se një pjesë e opozitës nuk e njeh 17 shkurtin dhe natyrisht se nuk kanë ndonjë ndjenjë të veçantë dhe pa hezitim mundohen të prishin këtë ditë festive”, ka thënë Grabovci. /Indeksonline/