Gjykata Speciale gati, shpallet konkurs për kompletim të stafit (Dokument)

Pas vendimeve politike, tash në radhë janë veprimet praktike. Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të Kosovës, tashmë kanë filluar të kompletohen edhe me stafin nevojshëm.

Lajme

26/05/2016 16:06

Në fakt, tash kanë filluar të shpallen konkurset për këtë institucion, i cili ligjërisht është i Kosovës, por praktikisht do të funksionojë në Holandë.

Lajmi.net ka siguruar konkursin e shpallur për kompletim të stafit të nevojshëm për Dhomën Speciale të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special.

Por është e çuditshme që në pjesën e konkursit për vendin e punës, jepen dy vende.

“Siç tregohet më poshtë – Hagë, Holandë apo Beograd, Serbi”, shkruan në konkurs, në pjesën e vendit të punës (Job Location).

Afati i rekrutimit të  stafit të duhur, i cili më pas do të bëjë të mundur  funksionalizimin e këtij institucioni, për të gjitha detyrat, është vënë data 15 qershor.

Në këtë konkurs të siguruar nga lajmi.net, për funksionalizimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale,  kërkohet i tërë stafi i nevojshëm, për të gjitha nivelet.

Sipas konkursit, këtij institucioni i duhen përkthyes shqip-anglisht, por askund nuk kërkohet serbisht-anglisht.

Në konkurs kërkohen edhe zyrtarë për buxhet, zyrtar për prokurim, konsulent ligjor, prokurorë, e persona të tjerë që në total janë 45 zyrtarë, raporton lajmi.net.

Në pjesën e dytë të konkursit jepen sqarime për kushtet që kandidatët duhet të plotësojnë për secilin vend të punës, si dhe  detyrat që do të mbulojnë, përfshirë edhe kohëzgjatjen e kontratës e cila është 12 muaj.

Por që dikush të bëhet pjesë e këtij  institucioni,  ai ose ajo duhet të jetë shtetas i Bashkimit Evropian, ose shtetas i një prej vendeve kontribuuese në këtë institucion që përfshinë Kanadanë, Norvegjinë, Zvicrën, Turqinë dhe SHBA-në.

Pjesa tjetër e konkursit përfshinë detaje që një kandidat duhet të dijë si njohjen perfekt të gjuhës angleze, përgatitjen profesionale, biografinë,  e detaje të tjera të ngjashme./lajmi.net

1 2