Gjykata Kushtetuese e Serbisë s’e merr në shqyrtim Marrëveshjen e Brukselit

Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka hedhur poshtë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke vlerësuar se bëhet fjalë për çështje politike dhe jo juridike, shkruan gazeta “Politika”.

Lajme

15/12/2014 10:46

Siç mëson mediumi serb, vendimi është marrë me shumicë votash në seancën e Gjykatës më 10 dhjetor. Këtij vendimi i kanë paraprirë më shumë seanca, ndërsa debati kryesor ka zgjatur tërë ditën.

Gjithnjë sipas mediumit serb, gjykata e ka arsyetuar vendimin në 40 faqe për hedhje poshtë të propozimit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Brukselit, por vendimin ende s’e ka publikuar në ueb-faqen e vet.

Propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë e ka parashtruar grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Serbisë.

Paraprakisht, ministri serb i Drejtësisë, Nikola Selakoviq, ka deklaruar nga mesi i këtij viti se Gjykata Kushtetuese duhet të shpallë veten jokompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pasi që bëhet fjalë për akt politik.

“Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për të vlerësuar aktin politik, meqë me këtë merr rolin e Qeverisë së Serbisë për zhvillimin dhe zbatimin e politikës”, ka thënë Selakoviq gjatë debatit publik për propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel në prill të vitit 2013.