Gjykata e Apelit ia vërteton dënimin Bajrush Xhemajlit

Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit Bajrush Xhemajli, i dënuar 2 vjet burgim për veprën penale rrezikim i trafikut publik. 

Lajme

29/09/2014 17:20

Si njoftoi Zyra për informim e Gjykatës së Apelit, në këtë mënyrë kolegji ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e ushtruara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtja dhe pala e dëmtuar.

Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet e prokurorit dhe të dëmtuarave për një dënim më të ashpër, si dhe ato të mbrojtësit të të pandehurit për dënim më të butë, nuk qëndrojnë.

Gjykata e Apelit konstaton se shqiptimi i dënimit ndaj të pandehurit nga gjykata e shkallës së parë, është bërë në pajtim me rregullat e përgjithshme për matje të dënimit konform nenit 64 të KPK-së , dhe se dënimi i shqiptuar, duke pasur parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, pasojat e veprës penale (vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa të tjerëve), është në përpjesëtim më rrezikshmërinë shoqërore të veprës se kryer.

Bajrush Xhemajli ditë më parë ka deklaruar se nëse konfirmohet dënimi edhe nga Gjykata e Apelit, ai nuk do të ankohet më dhe se do të shkojë në vuajtje të dënimit.