Gjuriq:“Parku i paqes” nuk do të hiqet

I ashtuquajturi Parku i Paqes (barrikadë) në Urën e Ibrit në Mitrovicës nuk do të hiqet derisa të mos gjendet një zgjidhjeje e pranueshme për palën serbe dhe atë shqiptare në atë qytet.

Lajme

14/12/2014 14:47

Kështu ka thënë drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq për agjencinë e lajmeve Beta.

Në pyetjen nëse heqja e barrikadës është kusht për hapjen e kapitujve në negociata për anëtarësim të Serbisë në BE, Gjuriq ka thënë se në Bruksel është arritur marrëveshja që së pari të bëhet vlerësimi teknik i gjendjes së urës dhe që prefektët e jugut dhe veriut të qytetit të merren vesh për zgjidhjen që do të kënaqëte interesat dhe do të merrte parasysh mendimet e qytetarëve të të dy pjesëve, transmeton koha.net.

Deri në gjetjen e kësaj zgjidhjeje, “asgjë nuk do të preket”, ka thënë ai.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dje ka deklaruar se “parku” do të hiqet shumë shpejt dhe se ura, pas një projekti të posaçëm të BE –së, do të kthehet në gjendjen që ka qenë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore,  Goran Rakiq ka deklaruar se Bahtiri në Bruksel, në gusht, në prani të përfaqësuesit të BE dhe të Marko Gjuriqit, është obliguar se parku sikur dhe asgjë tjetër në urë nuk do të hiqet derisa të mos gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë qytetarët.

“Meqë ka harruar t’ua përcjellë qytetarëve të vet pasi u kthye, po e shfrytëzoj rastin t’ia përkujtoj dhe ta ftoj që në vend se të thërrasë për konflikte, bashkë të merremi me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve “, ka thënë Rakiq.

Rakiq fjalët e Bahtirit për “kthim të urës në gjendjen që ka qenë” i ka quajtur kërcënim për paqe.