Gjuriq në Kosovë, nxitë shqiptarët të sulmojnë serbët!

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pas pjesëmarrjes në hapjen e një panairi bujqësor në fshatin Leshak të Kosovës, nuk ka ikur pa dhënë edhe një deklaratë provokuese e ofenduese në adresë të Tiranës dhe Prishtinës.

Lajme

17/10/2014 17:27

I mllefosur me ngjarjen që Serbisë “i doli nga dora” në Beograd, në ndeshjen fudbollistike Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre për shkak të hedhjes së mjeteve të forta në fushë, Gjuriq, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve në Prishtinës e Tiranës rreth këtij rasti, tha se Serbia nuk iu frikësohet huliganëve dhe as atyre që zbatojnë frikën e dhunën.     

“Ne nuk iu frikësohemi as huliganëve që bartin kostume e zënë funksione të rëndësishme në Prishtinë, Tiranë apo kudo tjetër. Në vend se deklaratat e tyre të orientohen kundër valës së kërcënimeve me dhunë dhe me frikësim të organizuar kundër serbëve në Kosovë, ata edhe njëherë dëshmojnë se ka politikanë në strukturat qeverisëse në Prishtinë që nuk e kanë kuptuar mirë çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve”, ka thënë Gjuriq për mediat serbe, raporton lajmi.net.

Por deri në kohën kur Gjuriqi e ka dhënë këtë deklaratë, në Kosovë nuk ka pasur dhe as nuk pritet të ketë sulme ndaj serbëve dhe as bizneseve të tyre.

Ndërkohë, në Serbi, që nga e marta kur u ndërpre ndeshja dhe huliganët zbritën në fushë të futbollit, huliganët e njëjtë apo të tjerë kanë djegur e demoluar afër dhjetë furra e lokale tjera të pronarëve shqiptarë, gjashtë prej tyre gjatë natës së mbrëmshme.