Gjuriq akuzon palën kosovare se po bllokon dialogun

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i është kundërpërgjigjur shefit të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, Avni Arifi, i cili para disa ditësh tha se Kosova ka anuluar takimin e rradhës me palën serbe, sepse sipas tij qëllimi i vetëm i tyre është krijimi i Asociacionit dhe asgjë tjetër.

Lajme

06/06/2018 10:42

Me këtë rast, Gjuriq e quajti të papërgjegjshëm Arifin, duke thënë se ai po shpreh qartë se Prishtina nuk po ndërmerr hapa në drejtim të kryerjes së obligimeve nga dialogu i Brukselit, transmeton lajmi.net.

“Shefi i ekipit negociator nga Prishtina flet fjalë të pabesueshme, dhe askush nuk përgjigjet për to, në fakt një gjë e tillë do të duhej të ndodhte. Ai haptas dhe publikisht deklaron se Prishtina nuk ka ndërmend të kryejë detyrimet që kanë marrë, duke dhënë të kuptohet se autoritetet e Prishtinës mendojnë se një gjë e tillë ju lejohet”, u shpreh Gjuriq.

Sipas Gjuriq, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka paralajmëruar edhe më parë se autoritetet e Prishtinës nuk do të kryejnë obligimin e vetëm sipas tij nga dialogu i Brukselit, formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është dashur një kohë shumë e shkurtër që të shihet jo sineqeriteti i Prishtinës. Refuzimi primitiv i dialogut është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, ashtu si mohimi i detyrimeve të supozuara dhe mashtrimi i publikut për përmbajtjen e tyre”, përfundoi Gjuriq.

Ndryshe, dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre pas arrestimit në Kosovë të pikërisht drejtorit të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, aksion ky që rezultoi edhe me daljen e Listës Serbe nga qeveria Haradinaj./Lajmi.net/