Gjermani: Duhet të merr fund numri i azilkërkuesve nga Kosova e Shqipëria

Gjermania këtë vit është ballafaquar me praninë e azilkërkuesve, sidomos nga Kosova e Shqipëria, por edhe Serbia, Maqedonia e Bosnja e Hercegovina.

Lajme

18/07/2015 10:56

Për këtë, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Karl Ernst Thomas de Maizière, në një intervistë për të përditshmen “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka thënë që është e “papranueshme” dhe një “turp për Evropën” që rreth 40 për qind e azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

De Maizière ka paralajmëruar që shteti gjerman do të fillojë të “reduktojë masovikisht” përkrahjen duke ndaluar edhe ndihmat financiare për azilkërkuesit nga Ballkani dhe në të njejtën kohë ka bërë të ditur që vet shteti gjerman si shtet i pasur “nuk është aspak i ngarkuar” nga politika me refugjatët, transmeton gazeta Blic.

Sipas de Maizière, një prej shkaqeve kryesore pse azilkërkuesit nga Ballkani po shkojnë në Gjermani janë ndihmat financiare.

Ai i ka thënë FAZ-it që është duke e përgatitur një draft ligjor në cilin do të parashikohet zgjerimi i kategorisë së vendeve me prejardhje të sigurt.

Sipas de Maizière është absolutisht e vetkuptueshme se përse njerëzit në Gjermani pyeten pse në vend të refugjatëve nga vendet me luftëra, siç janë Iraku e Siria, Gjermanisë ia mësyjnë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria.

“Kjo duhet të marrë fund”, ka thënë Ministri Thomas de Maizière.