Gëzim, pse nuk bëre thirrje për bojkotim të produkteve të Serbisë?

Pas thirrjes që deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, kishte bërë për bojkotim të siç kishte thënë “pijeve joalkoolike amerikane”, kanë pasuar reagime të ndryshme, sidomos nëpërmjet rrjeteve sociale.

Lajme

27/07/2014 16:11

(E plotësuar)

Nëpër rrjetet sociale po qarkullon një fotografi, ku shihet një “CocaCola” me një mbishkrim, në të cilin i tërhiqet vërejta deputetit të Partisë së Drejtësisë për faktin se ai asnjëherë nuk kishte kërkuar “bojkotimin e produkteve të Serbisë”, shkruan telegrafi.

Gëzim Kelmendi, duke komentuar situatën në Gazë, kishte bërë thirrje që të bojkotohen pijet joalkoolike amerikane.

Ai kishte kërkuar nga qytetarët të mos pinë Coca Cola, Fanta, Sprite dhe Schweppes, sepse, sipas tij, “këto produkte janë të atij regjimi që po vret dhe masakron popullin palestinez”.

“Mos të bëhemi edhe në mënyrë indirekte vrasës të palestinezëve me paratë tona”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook para pak minutash, deputeti Gëzim Kelmendi ka reaguar ndaj, siç thotë ai “shtrembërim” të shkrimit të tij, pasi ai thekson, se ka bërë thirrje që të bojkotohen produktet izraelite dhe jo ato amerikane.

Ja edhe postimi i plotë i tij në Facebook:

Turp për ata që shtrembëruan shkrimin tim!

Nuk kam thënë të bojkotohen produktet amerikane,por izraelite..

Mos manipuloni dhe shtrembëroni.

Ja katër argumente se unë jam më proamerikan se ju:

1.KU’RANI më mëson që të flas dhe sillem me respekt me krishterët dhe hebrenjtë.

2.Me qëndrimin tim kundër homoseksualëve nuk ja dua të mirën vetëm popullit tim,por edhe amerikanëve dhe gjithë të tjerëve.

3.Unë iu jam shumë mirënjohës Amerikanëve për çlirimin e Kosovës nga Serbia (ALLAHU na ka porosit: kush nuk falënderon njerëzit,nuk ka falënderuar ALLAHUN).

4.Qëndrimi im përballë amerikanëve është parimor ,në dallim prej juve që është i interesit.

Ju sot jeni me Amerikën ,nesër me ata që janë më të fortë,ndërsa unë pavarësisht kush është i fortë në të ardhmen,kam obligim moral ndaj SHBA për çlirimin e Kosovës dhe iu jam mirënjohës.

Me respekt,Gëzim Kelmendi