Geci, i pakapshëm për policinë

Ruzhdi Shaqiri u varros të martën në varrezat e dëshmorëve në vendlindjen e tij në Baks të Skenderajt. Një ditë më parë në kohën e njëjtë me varrimin e tij ai ishte gjallë. Por në orët e mbrëmjes Shaqiri u vra në qendër të Skenderajt. E ai që shtiu në Shaqirin me plumba, nuk po gjendet askund. 

Lajme

06/08/2014 10:38

Policia është vënë në kërkim të ish-deputetit Gani Geci, por ai nuk është gjetur as në shtëpinë e tij në Llaushë e as diku tjetër.

 Familja e Gecëve që në Llaushë njihen si shtatë vëllezërit Geci, kanë deklaruar për media se vëllai i tyre me gjasë ka dalë jashtë vendit.

Policia është në kërkim të Gecit, por edhe pas dy ditësh gjetja e tij ka rezultuar negative.

Disa orë pas vrasjes Geci ka sqaruar për disa portale se nuk ka pas çare pa e vra Shaqirin.

“Jam detyruar ta vras për ta mbrojtur veten”, ka thënë Geci.

 Por ish-anëtari i LDK-së, e më pas i LDD-së, nuk e ka ndërmend t’u dorëzohet organeve të rendit.

Ai ka deklaruar se do të dorëzohet vetëm nëse rastin e merr EULEX-i.

Këtë po e bën, sipas familjarëve të tij “për shkaqe sigurie”.

Por EULEX-i nuk po përzihet në këtë rast (të paktën deri më tani) pasi që sipas tyre, kjo është kompetencë e organeve të policisë dhe drejtësisë vendore.

Në Polici nuk e kanë idenë se ku mund të gjendet Gani Geci.

Sipas Avni Zahitit, zëdhënës rajonal i Mitrovicës, policia me urdhër të prokurorit ka bastisur shtëpinë e Gecëve në Llaushë.  /Tribuna/.