Gati për MSA, sipas Çitakut

Ministrja Vlora Çitaku thotë se Kosova do t’i përmbyllë negociatat për MSA pranverën e vitit të ardhshëm. Është e bindur se negociatat do të marrin kohën më të shkurtër të mundshme, në mënyrë që vendi të hyjë në proceset tjera integruese.

Lajme

28/09/2013 10:48

Kosova është e gatshme për t’i filluar negociatat për Marrëveshjen Stabilizim-Asocim me Komision Europian.

Në një intervistë për Deutche Welle, Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, është shprehur e bindur se këto negociata do të marrin kohën më të shkurtër të mundshme në mënyrë që vendi të hyjë në proceset tjera integruese.

Brenda periudhës së negociatave janë paraparë të mbahen katër takime, ndërsa i fundit në agjendë parashihet të mbahet në prill të vitit të ardhshëm.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe përparimi i Kosovës në rrugën drejt integrimeve europiane nuk është dhuratë për Kosovën, nuk është shpërblim që i është dhënë Kosovës falë konstruktivitetit që kemi treguar në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Nuk ka fije dyshimi që ky proces ka krijuar një klimë më të lehtë te vendimmarrësit në Bruksel, që një ofertë e tillë për Kosovën të jetë e mundshme, mirëpo, ne është dashur t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë.”

“Ne kemi pasur kritere teknike të cilat kanë qenë shumë më rigoroze sesa për vendet tjera të rajonit e me përmbushjen e atyre kritereve teknike, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka krijuar një klimë më të favorshme dhe më të lehtë te vendimmarrësit në Bruksel pikërisht për shkak të ndjeshmërisë të rastit të Kosovës, pikërisht kur kemi parasysh që pesë vende të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Ministrja Çitaku për Deutche Welle.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Çitaku ka thënë se Komisioni Europian nuk e ka kryer ende një vlerësim të cilin ka qenë dashur ta bëjë gjatë këtij muaji.

“Mirëpo ka zotime nga ana e Komisionit Europian që gjatë vjeshtës do të vijnë misionet e reja vlerësuese, që do të reflektonte në përmbushjen e kritereve në terren. Ne nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër, nuk po kërkojmë nga Komisioni Europian që t’i mbyllë sytë karshi mospërmbushjes së kritereve, por vetëm po kërkojmë që të vlerësohet puna e bërë”, ka thënë Çitaku për Deutche Welle.