Gashi–Majko, marrëveshjet e para të dy qeverive për një diasporë

Nënshkruhen marrëveshjet e para ndërmjet dy ministrive të Diasporës, asaj të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, të parat e këtij lloji ndërmjet dy qeverive në kuadër të takimit në Korçë.

Lajme

27/11/2017 18:11

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka mirëpritë marrveshjet e arritura të cilat synojnë unifikimin e politikave dhe strategjive kundrejt diasporës shqiptare, pavarësisht identitetit shtetërorë. “Shqiptarët janë shqiptarë, qofshin të Kosovës, qofshin të Shqipërisë e kështu me radhë.

Kemi një gjuhë, një kulturë dhe të njëjtat tradita. Nga sot e tutje, bashkë me homologun tim Majko, këto vlera po synojmë t’i kultivojmë dhe mbrojmë si një trup, jo si dy institucione. Gjuha dhe kultura shqipe janë top prioritet e këtyre marrëveshjeve” – ka thënë Gashi.

Nga ana tjetër, ministri i Diasporës i Shqipërisë Pandeli Majko ka shpreh përkushtrimin e tij për të shtyrë proceset përpara.

“Diaspora shqiptare është një dhe me rol të pakontestueshëm në historinë tonë kombëtare. Të dyja qeveritë tona e kanë me njëmendë rilidhjen konkrete dhe rilindjen e dashurisë dhe ndërveprimit reciprok. Kjo që po bëjmë sot, është hapi i parë” – ka thënë ministri Pandeli Majko.

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe si dhe qendrat kulturore që ka të hapura tashmë Republika e Kosovës në disa vende si dhe të tjerat që priten të hapen, me këto marrëvshje të dyja qeveritë bashkëveprojnë dhe bashkëndajnë gjithçka, përfshi dhe mbulimin financiar. 3 nga 12 marrëveshjet që u nënshkruan nga dy kryeministrat ishin për ministritë e Diasporës të të dyja vendeve!./Lajmi.net/