Fushë Moderne e Kosovës

Hashim Thaçi deklaroi në Fushë-Kosovë se projekti, vizioni dhe qëllimi i PDK'së është shndërrimi i kësaj komune në një qytet modern dhe europian.

Lajme

27/10/2013 15:02

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u tha banorëve të Fushë-Kosovës, gjatë një tubimi elektoral, se vizioni dhe qëllimi i partisë së tij është shndërrimi i këtij qyteti në një qytet modern dhe europian.

Ai tha se projektet e PDK’së për komunën e Fushë Kosovës janë projektet të vullnetit të qytetarëve.

“Projekti, vizioni, qëllimi i Kryetarit Grajçevci, është shndërrimi i Fushë Kosovës, në një qytet modern dhe evropian. Për çka do ta ketë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Ju ftoj të gjithëve, anëtarë dhe simpatizantë të PDK’së, në Fushë Kosovë dhe juve qytetarë të dashur të Fushë Kosovës ngado që keni ardhur, dilni dhe votoni. Ju të moshuar dhe të rinj, dilni dhe votoni për Z.Grajçevci, për PDK’në, për numrin 99”.

“Të jeni të bindur se me ardhjen e Z.Grajçevci, PDK edhe më mbështetjen e Qeverisë do të bëjë për katër vitet e ardhshme shumë më tepër, se sa që është bërë në këto 14 vite në Fushë Kosovë”.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Fushë Kosovës, Naser Grajçevci, tha se programi i kësaj partie është program  i rilindjes shpirtërore dhe konsolidimit të institucioneve.

Ai tha se PDK për këtë komunë, ka një program të zhvillimit dhe punësimit.

“Shumë vite nga një qeverisje e papërgjegjshme, komuna e Fushë Kosovës ka ngecur në krahasim me komunat tjera, ku qeverisja demokratike nga viti 2007 ka bërë një revolucion, në ato vende ku ka qeverisur”.

“Ne shpresojmë se pas 3 nëntorit, harta e qeverisjes së PDK’së, të afrohet në portën e Prishtinës dhe të merr dhe vetë Prishtinën”.

“Prandaj, Fushë Kosova është një element shumë i rëndësishëm i PDK’së dhe se ardhja e Kryetarit të PDK’së, vetëm gjatë këtij muaji tri herë, dëshmon se çfarë respekti dhe konsiderate, ka PDK për qytetarët e Fushë Kosovës.

Grajçevci tha se ai e do një Fushë Kosovë të zhvilluar, që frymon lirshëm dhe jo një Komunë që privon qytetarët nga ëndrrat e tyre, ashtu siç ka bërë qeverisja e deritanishme në Fushë Kosovë.