Fushatë në Kuvend

Fushata parazgjedhore ka filluar edhe në Kuvendin e Kosovës. Ministrja Kusari-Lila u përshëndet me Kuvendin. Ndërsa Muja dhe Beqiri u përplasën për Vranjevcin.

Lajme

26/09/2013 16:41

Arenë fushate parazgjedhore ka qenë sot edhe Kuvendi i Kosovës.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila u përshëndet me Kuvendin, duke u përgatitur për betejën e Gjakovës në zgjedhjet e nëntorit.

“Është hera e fundit të nderuar deputetë që po ju drejtohem në pozitën e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë në këtë legjislaturë. Prandaj, mora fjalën për t’ju thënë se fuqishëm besoj se ky ligj do të ndikojë në përmirësimin e ambientit investiv në Kosovë që sinqerisht sot shpresoj që do ta votoni”.

Fushata vazhdoi me replikat e Ismet Beqirit dhe të Shaip Mujës, ku ky i fundit tha se nuk mund t`ia qetësojë situatën në Vranjevc Beqirit.

“Unë, zoti Kryetar, nuk mund t’ia qetësoj situatën në Vranjevc zotit Beqiri, që e ka rrok kriza dhe nuk e kupton procedurën çka fola”, tha Shapi Muja, i PDK’së.

Ndërkohë Kryetari i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk vonoi shumë dhe i ktheu përgjigjjen.

“Me të vërtetë janë për t’u dhimbsur qytetarët e Kosovës, po këtij nuk ka me i ra në mend  për Vranjevc çka do t`i bëj në pjesët tjera të Kosovës, ky e di atë punë, kështu që nuk ia vlen, flasin votat”.

“Ky si duket e ka ngatërruar sot, ky nuk është vendi për të bërë fushatë. Duhet të jemi më seriozë. Po mendoj se kemi folur për ligje e jo për lagje të caktuar, por edhe një herë po i them shihemi me 4 nëntor”.

Më vonë Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Investimet e Huaja me 38 vota për, 30 kundër dhe 3 abstenime.