FSK-ja pajiset me 51 automjete ushtarake amerikane

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të blejë 24 automjete multifunksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë, ndërsa 27 automjete do të i dhurohen falas.

Lajme

17/07/2018 17:08

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, me rastin e blerjes së automjeteve multifunksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë nga Qeveria e Kosovës (HMMWV) për Forcën e Sigurisë së Kosovës, tha se shndërrimi i FSK-së në ushtri do të bëhet në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve të Kosovës.
Kreu i Qeverisë tha se FSK-ja po modernizohet me mjete ushtarake.

“FSK është një trupë profesionale gjithpërfshirëse. Sot ne po bëhemi dëshmitar se FSK k po modernizohet me mjete ushtarake. Kjo tregon se kjo forcë po bëhet sipas kërkesave të NATO-s. Transformimi do të bëhet në koordinim të plotë me aleatët tanë. FSK është e të gjithëve që jetojnë në Kosovë, e shqiptarëve, e serbëve e të gjithëve që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Ministri i FSK Rrustem Berisha, tha se furnizimi me këto automjete do të mundësojë modernizimin e pajisjeve të FSK-së.

“Sot është një ditë e veçantë për ministrinë dhe për FSK-në sepse furnizimi me automjete taktike të cilat do të jenë në shërbim të FSK-së është e një rëndësie të veçantë që ndikon në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Këto automjete të cilat po i prezantojmë sot mundësojmë modernizimin e pajisjeve të FSK-së që do t’i shërbejnë FSK-së në realizimin e misionit të saj”, tha Berisha.

Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, u shpreh i lumtur që Forca e Sigurisë së Kosovës do të pajiset me automjete ushtarake të cilat prodhohen në SHBA.

“Këto vetura kanë një histori të gjatë dhe janë në shërbim më të gjatë se 30 vjet. Ato tashmë janë simbol dhe jam shumë i lumtur që Kosova ka përzgjedhur këto vetura”, tha Delawie.