Fshatrat e diskriminuara të Drenasit

Isa Mustafa thotë se Drenasi meriton një trajtim më të mirë, ku nuk duhet të bëhen dallime ndërmjet fshatrave dhe lagjeve të kësaj komune, siç po ndodh tani. Me LDK, sipas tij, Drenasi do të ketë një trajtim shumë më të mirë.

Lajme

16/10/2013 13:40

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se Qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçi ka bërë dallime edhe ndërmjet qytetit të  Drenasit dhe fshatrave të këtij qyteti.

Mustafa mori pjesë në një tubim elektoral në Drenas, ku tha se kjo komunë meriton një trajtim më të mirë, ku nuk duhet të bëhen dallime ndërmjet fshatrave dhe lagjeve të saj.

“LDK’ja do t’i trajtojë njësoj të gjitha fshatrat dhe lagjet e Drenasit, do të ofrojë një qeverisje lokale që ata e meritojnë”.

“Pushteti lokal është ai i cili i din më së miri preokupimet e qytetarëve, sepse është në kontakt të drejtpërdrejt me qytetarin. Ajo çfarë është investuar nga pushteti lokal dhe ai qendror në Drenas, flet për trajtimin joadekuat që ata i bëjnë kësaj komune”.

Mustafa tha se nën qeverisjen e LDK’së, të gjithë qytetarët e Drenasit do të trajtohen njësojë.

“Vitin tjetër, kur LDK do t’i fitojë zgjedhjet nacionale, do ta trajtojë shumë më mirë Drenasin dhe komunat tjera të Kosovës”.

Në Drenas kreu i LDK’së foli edhe për gjendjen e pensionistëve në këtë komunë por dhe në Kosovë në përgjithësi.

“Ne nuk e konsiderojmë problem rritjen e pensioneve, ashtu siç po e konsideron Qeveria e tanishme. Buxheti ekziston, ka kapacitete që pensionistët të trajtohen shumë më mirë sesa që po trajtohen aktualisht”.

“Njerëzit që kanë lënë djersën e tyre për 40 vite, për këto fabrika që tashmë janë privatizuar, janë njerëz që meritojnë kujdesin më të mirë sesa që e kanë tani, pasi që ata kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm për ndërtimin e këtij vendi”.

Isa Mustafa foli edhe për procesin e fundit zgjedhor në këtë komunë.

“Ne nuk besojmë që qytetarët e Drenasit kanë abuzuar me vota në zgjedhjet e fundit. Ata që kanë organizuar zgjedhjet, ata kanë abuzuar me vota të Drenasit dhe në këtë mënyrë e kanë sjell komunën në një situatë mjaftë të pavolitshme. Kësaj radhe do të bëjmë përpjekje që të ruhet vota, sepse për LDK’në, vota është e shenjtë”.

“Programi i LDK’së për Drenasin, nxit ekonominë që të gjejnë zgjidhje për rininë. Nuk mjafton që ne të mburremi  vetëm me faktin se e kemi rininë si pasurinë kryesore, që janë ardhmëria jonë, por ne duhet të sigurojnë që ata të kenë jetë më të mirë”.

“Ata nuk meritojnë që të kërkojnë zgjidhje për fatin e tyre jashtë Kosovës, ne duhet të krijojmë kushte që ata ta bëjnë një jetë siç e meritojnë, brenda Kosovës”.

Kandidati  për kryetar të Drenasit, Izet Abdyli tha se LDK e Drenasit po hynë në këto zgjedhje  më e fortë, më e fuqishme, më e konsoliduar dhe më e rinuar se asnjëherë më parë.

“Motoja e fushatës tonë në Drenas është së bashku për Drenasin demokratik . Pse së bashku,  sepse ne jemi partia që do t’i bashkojmë të gjithë potencialin profesional e intelektual që ia duan të mirën Drenasit , që duan të punojnë për qytetarët e Drenasit. Pse demokratik- sepse ne do të respektojmë edhe ata që kësaj radhe do të shkojnë ne opozitë, e ata janë PDK, e cila ka dhënë shembullin më të keq në keqqeverisjen e Drenasit.