Fshati Kadiaj: Dikur kultivonin kanabis, tani mezi fitojnë bukën me bujqësi (Video)

Për në Kadiaj shkohet nga 3 rrugë të ndryshme. Vetëm 3 km është aksi që e ndan nga fshati Savër, e po aq ai nga Karbunara, ndërsa rruga e tretë është pak më e shkurtër. Ajo që bashkon të tria rrugët është se, të tria janë të pashtruara, çfarë e vështirëson jashtëzakonisht komunikimin e banorëve të tij.

Lajme

29/02/2016 22:06

“S’ke nga del, mjete s’ka këtu, çdo gjë është keq”, thotë Nasi Kadillari.

“Duam të kemi një rrugë, që të shpëtojmë si fshat. Vetëm rrugën, të na shtrohet e të na asfaltohet kjo rrugë”, shprehet Bajram Arapi.

“Nuk para hyjnë mjete këtu sepse rruga është e keqe, ju e patë dhe vet rrugën kur hytë”, thotë Nako Kadillari.

Fshati vuan “sëmundjen” e kohës, emigrimin. Pak kohë më parë, Kadiaj u bë i njohur për shkak të zbulimit të mbi 12 mijë rrënjëve kanabis sativa, që kultivoheshin në disa prej serave të fshatit. Ky ishte ndoshta rasti i parë dhe i fundit, kur fshati ndjeu dorën e shtetit, ose më saktë, dorën e fortë të tij. E buta është ende larg. Bujqësia mbetet i vetmi burim minimal të ardhurash.

“Toka nuk të jep asgjë, se që të ngasësh një dynym tokë i thonë 1.200 lekë, ta frezosh me 1.000 lekë, ta mbjellësh me 800 lekë. Një kuintal pleh i thonë 600 lekë, gjë që nuk e merr dot. Prandaj ne nuk ushqehemi dot deri më tani”, rrëfen Miti Kadillari.

“Shpenzimet me serat që kemi mbjellë ne janë shumë të mëdha. Fitimi gjithashtu s’është ndonjë fitim i madh, thjesht sa për të ngrënë, sa për t’u ushqyer”, thotë Lida Mrice.

“Çdo gjë e kam me djersë, i thonë hiq nga goja dhe hidhja asaj toke. Vetëm atë serë kam, në tokën e burrit, asnjë gjë tjetër. Unë jam në mëshirë të fatit”, shprehet Flora Kadillari.

Një pjesë e madhe e fshatit jeton me emigracionin, edhe pse jo pak të rinj janë kthyer për shkak të krizës greke. Investimet e vetme në shtëpitë e fshatit kanë ardhur nga ta.

Një problem i madh për të gjithë fermerët mbetet uji; kanalet kullues e vaditës, që si gjithkund në Shqipëri, dekraduan nga mosmirëmbajtja pas viteve ’90. Banorët u detyruan të punojnë për të thelluar dhe hapur disa prej tyre.

“Edhe xhepi është i varfër, se po të jetë xhepi i shëndoshë, do të ishte edhe bima e shëndoshë”, deklaron Hekuran Arapi.

Problemet me ujin në fshat nisin nga vijat kulluese e mbarojnë te rubinetat në shtëpi. Dikur, Komuna Krutje, pjesë e të cilit ishte edhe Kadiaj, bëri një investim, përmes të cilit u premtua uji i pijshëm. Paratë u harxhuan, por uji vazhdon të vijë rrallë. Dhe kur vjen, ai është shpesh i papastër.

“Nuk e di sesa vite qëndruam pa na ardhur uji. Tani që u rregullua, ai vjen me ndryshk, vjen i turbullt. Sado që e kullojmë, kemi merak, nuk e konsumojmë dot”, thotë Donika Arapi.

“S’ka ujë edhe unë habitem. Bëhet gjithë ai investim, 20 milionë lekë u ngrit depozita atje dhe uji s’vjen. Të vish të shikosh atë investim që kam bërë atje, që unë e di si e nxjerr në pazar”, thotë Faslli Arapi.

 

Kadiaj ka pasur dikur Qendër Shëndetësore dhe një shkollë fillore. Ndërsa sot s’ka asnjë nga të dyja. Shkolla më e afërt, sot është në Krutje, 5 kilometra larg.

TCH: Sa kohë ju duhet të shkoni në shkollë?

Nxënësja: Një orë e gjysmë. Nisemi herët dhe shkojmë. Ndonjëherë shkojmë me vonesë.

TCH: Sa vjeç je?

Nxënësi: 11.

TCH: Çfarë klase?

Nxënësja: Të pestën.

TCH: Sa kohë të duhet të shkosh në shkollë?

Nxënësi: Një orë e gjysmë ose dy.

TCH: Lodhesh?

Nxënësi: Lodhem shumë.

TCH: Po kur bie shi, kur ka baltë apo llucë?

Nxënësi: Njomemi.

TCH: Po pastaj si bën mësim?

Nxënësi: Ashtu të lagur.

“Afërisht të fillores janë te 18 fëmijë, veç gjimnazit. I çojnë kush në këmbë, kush me biçikleta, sipas mundësive”, thotë Gentian Arapi.

Pesë kilometra nga Lushnja dhe ka 3 mundësi për t’u garantuar një rrugë. Sikur njëra prej tyre të funksiononte normalisht, atëherë do të mjaftonte edhe një furgon, për të transportuar fëmijët në shkollë dhe ujë të pijshëm në shtëpi. Kjo, që fshati Kadiaj të ishte jo një fshat luksoz, por një vend normal jetese për 50 familjet e tij, sot të izoluara nga pjesa tjetër e botës.

YouTube player