Frika që i kanoset Evropës, Shqipërisë dhe Kosovës nga fitorja e Trump

Deri ditën e zgjedhjeve amerikane, ndonëse parashikimet jepnin si fituese Hillary Clinton, prapë kishte tërhequr vëmendjen suksesi i një figure si Donald Trump.

Opinion

15/11/2016 13:35

Shkruan: Fatos Lubonja

Me gjithë gjuhën e tij, që binte ndesh me disa vlera që konsideroheshin të stabilizuara në shumicën e shoqërisë amerikane, ky kishte arritur të fitonte primaret në Partinë Republikane e rrezikonte edhe Clinton­in? Shpjegimi më i besueshëm ishte se forca e tij nuk qëndronte edhe aq te gjuha raciste, maçoiste, antiemigracion që përdorte për të tërhequr votën e një pjese të shoqërisë amerikane, por te fakti se Clinton­i përfaqëson sistemin, establishmentin, institucionet e korruptuara, vendimmarrja e të cilave gjithnjë e më shumë diktohet nga interesat e oligarkisë amerikane; kurse Trump­i një “lëvizje” – siç e quajti ai fushatën e tij, për t’u diferencuar nga Partia Republikane – që kërkonte shkatërrimin e këtij sistemi.

Ishte e vështirë të besoje se Trump mund të fitonte, duke pasur parasysh se sistemi grumbulloi katër herë më shumë para se ai për të sponsorizuar fushatën e kundërshtares dhe se, në krah të Clinton­it, u vunë thuajse të gjitha mediat e SHBA­ve. Fakti që ai fitoi, tregoi se sëmundja e sistemit qenkësh shumë më e rëndë sesa mendohej. Ajo tregoi se jo vetëm elita politike amerikane, por edhe mediat, edhe yjet e Hollivudit, duke qenë në një mënyrë apo një tjetër pjesë e sistemit, ishin shkëputur nga realiteti amerikan. Pra, pa komponenten e sulmit kundër sistemit, një figurë si Trump zor se do të mund të fitonte.

KARAKTERISTIKAT E SISTEMIT

Pikërisht pse bëhet fjalë për goditje kundër “sistemit”, fitorja e Trump­it i ka kapërcyer kufijtë e SHBA­ve, duke u krahasuar me ngjarje që kanë ndryshuar botën, si rënia e Murit të Berlinit apo 11 Shtatori. Duke komentuar fitoren e tij, kryetarja e partisë Fronti Nacional në Francë, Marine Le Pain, tha se kjo që ndodhi “Nuk është fundi i botës, por fundi i një bote.” Po si do ta përkufizojmë këtë “botë që ra” sipas Le Pain, apo që ajo kërkon ta rrëzojë? Përkufizimi i kësaj bote mbështetet mbi dy fjalë kyçe rreth të cilave u ndërtua, pas Luftës së Ftohtë, ideologjia dominante e elitave perëndimore në pushtet: “neoliberizëm” dhe “globalizëm”.

Me neoliberizëm duhet të kuptojmë njeriun e çliruar nga pesha e komunitetit apo shoqërisë apo kombit, që mendon e punon vetëm për suksesin e tij individual, të cilin, gjithnjë e më shumë, e mat me paratë që fiton. “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë.” – deklaronte Thatcher­i, duke promovuar sistemin ku, nëse çdokushi mendon e punon për vete, gjithçka shkon mirë edhe për të gjithë. Me globalizëm do të kuptojmë dobësimin e rëndësisë së shtetit komb për njeriun neoliberal, qoftë për sa i përket identitetit të tij kombëtar qoftë edhe, çka është më e rëndësishmja, aktivitetit të tij ekonomik. Mbi bazën e këtyre dy parimeve, biznesmenë amerikanë (dhe jo vetëm) kanë transferuar bizneset e tyre nga SHBA­të në Kinë apo gjetkë, për të rritur fitimet e tyre. Po mbi bazën e këtyre parimeve janë arritur (ose janë në përpjekje për arritje)traktatet e shkëmbimeve të lira tregtare.

KRIZA E SISTEMIT

Problemi është se pas suksesit në vitet ’90, ky sistem filloi të njohë krizat e tij të thella. Rezultoi se ky liberalizim pa rregulla e ky globalizim pa shtet global fuqizoi dhe pasuroi gjithnjë e më shumë një pakicë, ku spikasin spekulantët financiarë të Wall Streetit e të bankave; dobësoi ekonominë prodhuese në favor të ekonomisë financiare, dhe varfëroi, për pasojë, gjithnjë e më tepër shumicën, duke filluar që nga shtresat e mesme dhe poshtë. Nga ana tjetër, pakicat e të pasuruarve nga ky sistem u bënë gjithnjë e më të rëndësishme në vendimmarrjen e qeverive, duke bërë që shumë kritikë të thonë se SHBA­të dhe Perëndimi kishin kaluar nga një sistem demokratik, në një sistem postdemokratik ku politikanët ishin kthyer në menaxherë të oligarkëve.

* * *

Në zgjedhjet amerikane, sistemi neoliberal – global u godit nga dy lëvizje politike; nga e majta nëpërmjet rivalit të Clinton­it në primaret, socialistit Bernie Sanders, dhe nga e djathta, nëpërmjet rivalit të saj në presidenciale, Trump. Sandersi e goditi në frymën e lëvizjes “Ocupy Wall Street”, duke e akuzuar për polarizim të theksuar, varfëri dhe pasiguri për 99%­shin e shoqërisë dhe duke e vënë theksin te solidariteti, rishpërndarja më e drejtë në emër të barazisë, shtetit social. Trump­i e goditi nëpërmjet retorikash të djathta, duke premtuar ulje të taksave, proteksionizmin e shtetit komb, mbrojtjen ndaj emigracionit, si dhe duke evokuar vlera si ato të familjes, të fesë, deri supremacinë e racës së bardhë, që karakterizojnë të djathtën konservatore.

Ndërkaq, ndonëse Sandersi dallon shumë nga Trump­i për sa u përket kulturave që përfaqësojnë, duket se një pjesë e votuesve të tij ia dhanë votën Trump­it, si mundësi për të goditur sistemin dhe për të hapur rrugën e ndryshimit. Më emblematike në këtë kuptim ishte fitorja e Trump­it në shtete si Pennsylvania apo Michigan­i, që kanë qenë historikisht demokratë, sepse atje dominonte klasa punëtore e industrisë së makinave. Mirëpo, paradoksalisht, këta punëtorë u rreshtuan me Trump­in, i cili u premtoi proteksion nga globalizimi e nga emigracioni dhe ndëshkim të sistemit që i kishte rrënuar.

Votën e tyre pro Trump, regjisori i njohur amerikan Michael Moor e quajti “bomba molotov kundër sistemit që hodhën këta njerëz që kishin humbur gjithçka, përveç të drejtës që u garanton Kushtetuta Amerikane: atë të votës”. Këtë lloj qëndrimi pro Trump të një pjese të së majtës e shprehu edhe filozofi Slavoj Zhizhek, i cili, kur u pyet për kë do të votonte, sikur të ishte amerikan, u përgjigj se do të votonte për Trump­in, jo pse ndante shumë nga idetë e tij të neveritshme, por sepse rreziku i vërtetë, sipas tij, ishte Clintoni – në kuptimin se me Trump­in mund të turbullohen ujërat që të dalë një zgjidhje, kurse me Clinton­in do të kemi të njëjtën gjendje, të njëjtin sistem, establishment.

TRUMPI DHE PROJEKTI EUROPIAN

Nëse Trump­i do të arrijë të ndryshojë sistemin, do të krijojë “turbullirën” për të “kthjelluar” pastaj daljen e një alternative, apo do t’i nënshtrohet sistemit, kjo mbetet për t’u parë. Më shumë gjasa ka të kemi një rezultante e cila, sot për sot, përmban shumë të panjohura. Por, që bota nuk do të jetë më ashtu siç ka qenë, kjo duket e sigurt. Dhe ajo që bie në sy është se në goditjen e “botës” apo “sistemit” neoliberist global, për fat të keq (ky është mendimi im) sot për sot po ka më shumë sukses e djathta, sesa e majta. Fitorja e Trump­it u ka bërë jehonë, duke i amplifikuar, lëvizjeve politike të djathta nacionaliste, si triumfi i Brexit në Britani, fuqizimi i Marine Le Pain në Francë, fuqizimit të së djathtës ekstreme në Austri, politikave të Urbanit në Hungari, të Kazinskit në Poloni, të Salvinit e pjesërisht të lëvizjes Pesë Yjet në Itali, referendumit në Holandë për dalje nga Europa etj.

Shumë më pak sukses ka e majta europiane antisistem që e denoncon Europën e sistemit, duke bërë thirrje për një Europë të qytetarëve europianë, të solidaritetit, që duhet të funksionojë më mirë sesa shteti komb social për qytetarin, si për sa i përket mirëqenies, edhe demokracisë. Qëndrimi ndaj kësaj të majte nga ana e sistemit u duk pikërisht në qëndrimin ndaj Greqisë. Establishmenti europian bëri gjithçka që Greqia t’i nënshtrohet sistemit duke rrezikuar që – nëse kemi parasysh se çfarë ndodhi në SHBA – votat antisistem të së majtës të shkojnë nesër tek e djathta në rritje.

Problemi më i madh që del përpara këtij reaksion zinxhir të mundshëm është prishja e projektit të Europës së Bashkuar, një nga projektet më të bukura në historinë e njerëzimit, por që u keqpërdor nga oligarkitë europiane dhe establishmentet e korruptuara të sistemit neoliberal global. Shtetet kombe, që kishin lëshuar një pjesë të sovranitetit të tyre në emër të një të mire mbinacionale, me shumë gjasa do t’i rikthehen përsëri idesë së superioritetit të shtetit komb, duke kaluar në një gjendje që shpejt i është gjetur edhe mbiemri “hipersovraniteti”.

EFEKTI MBI SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

Lidhur me efektin e këtyre zgjedhjeve në prishjen e projektit europian do të thoja se, nëse ndodh një gjë e tillë, humbësit më të mëdhenj do të ishin vende si Shqipëria apo Kosova. Kjo për disa arsye: Së pari, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë pjesë në shtetet kombe të fuqishme, përkundrazi, janë shumë të dobëta ekonomikisht dhe politikisht. Për faj të klasës politike që ka kërkuar legjitimitetin e vet tek establishmenti europian dhe amerikan dhe jo te puna për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndërtimin e një ekonomie të shëndoshë, ato mbijetojnë kryesisht në sajë të emigracionit dhe ndihmave europiane që parashikon ky projekt.

Në një Europë ku çdo shtet kërkon të largojë e refuzojë emigracionin dhe të shikojë interesin e vet, Shqipëria dhe Kosova do të dobësoheshin sepse kanë shumë më pak fuqi se vende të tjera ballkanike për t’u mbështetur në këmbët e veta. Së dyti, një Shqipëri dhe Kosovë pa projektin europian do të ishin më të rrezikuara se vendet e tjera ballkanike edhe për sa u përket standardeve të lirisë e demokracisë së brendshme. Kritikat e vazhdueshme që kanë ardhur nga Brukseli, për sa i përket arritjes së standardeve demokratike apo goditjes së krimit të organizuar, kanë shërbyer, gjithsesi, si shina ku duhej të orientohej ecja e vendit. Ato kanë inkurajuar, sadokudo, opozitat e brendshme apo edhe atë pak shoqëri civile e media të besueshme për të qenë disi më aktivë.

Me dështimin e projektit, këto shina do të zhduken. Idetë se establishmentet perëndimore kanë legjitimuar këtë sistem dhe këtë klasë politike të korruptuar dhe jo demokratike, prandaj më mirë të rrëzohen së bashku apo se, në kushte të mungesës së patericave europiane, Shqipëria e Kosova mund të forcojnë këmbët e veta, kanë logjikën e tyre, por kanë edhe shumë pikëpyetje dhe pasigurira nga prapa. Së pari, sepse nuk është e thënë që kasta jonë do të rrëzohej, në kushtet e braktisjes nga Perëndimi. Ndoshta do të favorizohej edhe më shumë, pasi ajo ka kapur vendin dhe mund të lidhej edhe më shumë me krimin e organizuar.

Së dyti, sepse forcat e brendshme kundër kastës sonë duken shumë të brishta dhe nuk kanë ndonjë projekt jashtë europian, që njerëzit ta ndjekin me besim. Së fundi, por e para nga rrezikshmëria, në mungesë të projektit përbashkues europian, erërat nacionaliste ndarëse rrezikojnë shumë më tepër të ndezin zjarrin e konflikteve në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova, ashtu siç ka ndodhur historikisht, kanë qenë dhe kanë mbetur në pozitat më të dobëta.

*Opinion i shkruar për “Panorama”