Fondi për fëmijët e sëmurë u jep shpresë familjarëve

Vendimi i Qeverisë që të krijojë një fond prej 5.5 milionë eurosh për të trajtuar rastet e fëmijëve me sëmundjen e kancerit dhe leukemisë ka ngjallur shpresë tek prindërit. Edhe doktorët e Klinikës së Pediatrisë në QKUK kanë mirëpritur këtë vendim.

Lajme

14/03/2014 19:43

Vendimi i Qeverisë për të krijuar një fond prej 5.5 milionë eurosh, të destinuara për shërimin e fëmijëve me sëmundjen e leukemisë dhe kancerit, është mirëpritur nga prindërit e fëmijëve të sëmurë dhe po ashtu edhe nga drejtuesit e Klinikës së Pediatrisë në QKUK.

Babai i Sumea Halimit, tre vjeç e gjysmë e cila është diagnostifikuar me sëmundjen e leukemisë ndihet mjaft i kënaqur me vendimin e Qeverisë për krijimin e këtij fondi. Ai shpreson se me përfitimin nga ky fond, Sumeas së vogël do t’i kthehet buzëqeshja.

“Është shpresëdhënës ky lajm. Shpresojmë që do t’i mbajë fjalët e veta Kryeministri”, ka thënë ai për RTK.

Shefja e repartit të Hematologjisë, Viloeta Grajçevci, thotë se me krijimin e këtij fondi do të mundësohet trajtimi i rasteve të sëmundjeve malinje. Ajo thotë se në vitet e fundit për shkak se nuk kanë pasur terapinë komplete, këto raste nuk janë trajtuar në Kosovë.

“Nëse përfitojmë nga ky fond për trajtimin e këtyre rasteve me leukemi dhe me sëmundje të tjera malinje, do të na ndihmonte shumë për arsye se ka raste në këto vitet e fundit, nuk kemi pasur terapi komplete, për të trajtuar këto raste në Kosovë”.

Ndërkaq, Shefi i repartit të Pediatrisë, Muharrem Avdiu thotë se me këtë fond në një farë forme po lehtësohet frymëmarrje e personave të prekur me këto sëmundje.

“Ishte një lajm që mua më gëzoj dhe në njëfar mënyrë garantohet një frymëmarrje e lehtësuar për rastet. Doktorët në fakt ndihem më mirë se unë, për këtë jam i bindur, por edhe unë si drejtor i Pediatrisë jam ndjerë mirë pas këtij lajmi”, ka thënë Avdiu për RTK.

Aktualisht në Klinikën e Pediatrisë në repartin e Hematologjisë janë duke u trajtuar 7 fëmijë me sëmundjen e leukemisë. Trajtimi i kësaj sëmundje jashtë vendit, mund të kushtoj deri në 30 mijë euro, që është një shumë e papërballueshme për shumë familje kosovare.