Flet prokurori që po heton sulmin kundër Kuvendit

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se të dyshuarit për sulmin e 4 gushtit kundër Kuvendit të Kosovës ende nuk janë intervistuar.

Lajme

13/11/2016 17:49

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga sulmi me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe më shumë se dy muaj nga arrestimi i personave të dyshuar – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, këta të fundit ende nuk janë intervistuar nga prokurori i rastit.

Këtë fakt e nxori në pah vdekja e njërit prej të dyshuarve të këtij rasti – Astrit Dehari, i cili është gjetur pa shenja jete në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor.

Lidhur me këtë çështje, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se intervistimi i të dyshuarve do të ndodhë këtë muaj.

“Ne po planifikojmë që t’i intervistojmë të dyshuarit nga mesi i këtij muaji dhe pas intervistimit do të analizohen deklaratat e tyre dhe do të shikohet se si të veprohet më tej”, tha Islami për KALLXO.com.

Po ashtu, prokurori Islami tha se as tanimë i ndjeri, Astrit Dehari, nuk ishte intervistuar.

Ndërsa, sa i përket caktimit të masës së paraburgimit për Deharin, prokurori theksoi se kërkesa ishte bërë në bazë të provave të tjera që i ka në posedim Prokuroria.

Për sulmin e 4 gushtit të këtij viti kundër Kuvendit të Kosovës si të dyshuar ishin arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.

Që nga koha e arrestimit, në fund të gushtit, masa e paraburgimit u ishte caktuar Atdhe Arifit, Astrit Deharit dhe Egzon Halitit, ndërsa të tjerët u lëshuan në masa më të lehta të sigurisë.

Gjashtë aktivistët e VV-së dyshohen se janë autorë të sulmit me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Njëri prej të dyshuarve, Astrit Dehari, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të mbesin të pasqaruara.

Rreth këtij rasti Prokuroria ka filluar një hetim e gjithashtu edhe rezultatet e autopsisë nuk janë publikuar ende.