Fisheku në Shishe

Në dy raste të ndara në pikën kufitare me Shqipërinë në Vërmicë, zyrtarët doganorë kosovarë kapin mbi 6 kilogramë marihuanë dhe mbi 600 fishekë.

Lajme

11/11/2013 12:50

Oficerët doganorë kosovarë në Vërmicë kanë arritur t’i parandalojnë dy raste të tentim kontrabandimi me mallra të ndaluara.

Në rastin e parë janë kapur gjatë tentim kalimit të kufirit mbi 6 kilogramë substancë narkotike.

Kurse në rastin e dytë oficerët doganorë parandaluan kontrabandimin e municionit, ku te një shtetas Kosovar u kapen mbi 600 fishekë të kalibrit 7,62.

“Në orët e pasditës Dogana dhe Policia kufitare kanë ndalur për kontroll të përbashkët një veturë  me targa të Kosovës, në të cilën udhëtonin dy shtetas të Kosovës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e lartë përmendur, në brendësi të mbrojtësit të pasëm janë gjetur 9 pako substancë narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Pas matjeve është konfirmuar se sasia e përgjithshme ishte 6,8 kilogramë. Personi i dyshuar është arrestuar nga ana e Policisë si dhe është konfiskuar automjeti”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

Ndërsa pak orë më vonë, oficerët në të njëjtën pikë doganore kanë selektuar për kontroll një veturë me targa të Kosovës e cila drejtohej nga një shtetas kosovar.

“Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e pasme janë gjetur katër shishe të plastikës, të mbushura me fishekë të kalibrit 7.62 mm, në sasi prej 681 copë. Personi është arrestuar nga ana e Policisë si dhe i tërë rasti i kalon policisë për hetime të mëtejme”, thotë Dogana e Kosovës.