Financohet asfaltimi i rrugës për bizneset e Zonës së Harilaqit

Prezantimi dhe përkrahja e projektit infrastrukturor prej 1km, për bizneset e Zonës së Harilaqit të përgatitur nga OAK, ishte arsyeja kryesore e takimit të delegacionit të Odës së Afarizmit të Kosovës me Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lajme

20/02/2019 14:25

Kryetari i Bordit të OAK-së Skënder Krasniqi njoftoi Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj me problemet që po përballen bizneset e vendosura në zonën e Harilaqit me infrastrukturë rrugore duke përfshirë, energjinë elektrike, ujësjellësin, kanalizimin dhe shtruarjen e rrugës.

Krasniqi tha se në këtë pjesë ndodhen biznese të mëdha me shumë qarkullim të cilat kanë problem të madh infrastrukturën, duke njoftuar ministrin Lekaj për takimin e realizuar me kryetarin e Komunes se Fushë Kosovës për këto probleme i cili në takim ka kërkuar ndihmë nga OAK për përgatitjen e një projekti për këtë rrugë, tani Oda e ka financuar dhe përgatitur projektin së bashku me kompaninë Cosmonte ku dhe e shpalosi në detaje para ministrit.

Ministri Lekaj u shpreh i gatshëm për përkrahjen e projektit për asfaltimin e kësaj rruge dhe vetëm kërkoi që Komuna e Fushë Kosovës  ta aprovoj këtë projekt meqenëse është rrugë lokale.

Gjithashtu u kërkua që rruga Pejë –Zahaq të ketë dalje të rregullt përmes rrethrrotullimeve, ku ministri premtoi se do të ketë dy rrethrrotullime të reja, tek ELKOS-i në Ramun dhe Qyshkë.

Së bashku me delegacionin e OAK-së në takim ishin edhe pronarë biznesesh të kësaj zone të cilët shprehen pakënaqësitë e tyre me problemet e shumta që po hasin duke kërkuar një zgjidhje sa më të favorshme për ta.

OAK në këtë takim pati edhe kërkesa të tjera me emergjencë nga ministri Lekaj, siç janë:

–     Të lobohet që Kosova të jetë anëtare e International Road Transport (TIR), ku do të punësohen se paku mbi 1000 shoferë dhe mbi 200 milion euro do të ketë përfitim Kosova.

–     Shoferët e kamionëve të pajisen me kartela digjitale për TAHOGRAF në Kosovë. Shoferët po detyrohen të marrin ilegalisht këto kartela nga Serbia.

–      Të bëhet sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve.

–   Të informohen vozitësit për vendet kur ka pengesa në rrugë apo kolona të gjata, përmes Radios.

–  Të lobohet për largim nga CEFTA si UNMIK dhe Kosova të anëtarësohet si Republikë e Kosovës.

Në këtë takim OAK u prezantua nga Kryetari i Bordit të OAK-së Skënder Krasniqi, anëtari Hysni Zogaj, zyrtaret Qëndresa Ibrahimi, Doruntina Gashi dhe përfaqësues të bizneseve Vigan Salihu, Sokol Godeni dhe Arlind Ajeti. /Lajmi.net/