Fillon Filmi

Prej sot fillon periudha kur qytetarët do të pushtohen nga fjalët e mëdha të subjekteve politike, të cilat synojnë pushtetin lokal pas 3 nëntorit. Do të dëgjojnë premtime për një jetë fantastike në katër vjetët e ardhshme. Mirë se erdhët në fushatë.

Lajme

03/10/2013 06:22

Fushata elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit nis sot, zyrtarisht.

Janë 103 subjekte politike të certifikuara që do të marrin pjesë në garën e pushtetit lokal. Prej tyre, 33 parti politike, 52 iniciativa qytetare, 16 kandidatë të pavarur dhe 2 koalicione, me gjithsej 7.932 kandidatë.

Periudha e fushatës është e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Planin Operativ për Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë – prej të cilëve mbi 100 do t’i dërgojë BE, me qëllim që procesi të jetë fer dhe i drejtë.

Të gjitha subjektet politike, prej sot do të fillojnë t’i shpalosin programet dhe premtimet e tyre para qytetarëve, në tentim për t’i bindur ata që t’i votojnë më 3 nëntor.

Qytetarët do të dëgjojnë se do t’i presë një jetë më e mirë, në katër vjetët e ardhshme. Për fëmijët, rininë, e pleqtë. Do t’i kenë të gjitha: punë, ujë, rrymë, shkolla, arsim cilësor, shërbime të jashtëzakonshme shëndetësore, rrugë të asfaltuara, parkingje, gjelbërim, pastërti. Milionat do të derdhen për t’i zhvilluar komunat. Kaosi dhe vuajtja do të marrë fund.

Është kjo periudha e fjalëve të mëdha, kur premtimet do të jenë të pabesueshme sa jeta do të duket si një film i bukur.

Kështu do të jetë për 30 ditë.

Mirë se erdhët në fushatë.