Ferizaj pret ndihmën e institucioneve të vendit për arsim

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka marrë të hënën mbështetje nga Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini, Sport e Diasporë në zgjidhjen e disa problemeve që lidhen drejtpërdrejt me nivelin qendror.

Lajme

23/03/2015 17:41

Kreu i këtij komisioni, Nait Hasani, pasi ka dëgjuar shqetësimet e kryetarit Sfarqa, ka bërë të ditur se komisioni që ai drejton të gjitha problemet e ngritura do t’i adresojë në Kuvendin e Kosovës.

Sfarqa tha se në fokus të bisedave kanë qenë zgjidhja e problemit të mungesës së hapësirave shkollore, sidomos të atyre që janë peng i mos finalizimit për shkak të mungesës së mjeteve të parashikuara buxhetore, si Shkolla e mesme ekonomike “Faik Konica”.

Për më tepër u tha se në kuadër të shqetësimeve është biseduar edhe për ndeshjen e ligjeve të arsimit me ligjet tjera, sidomos me ato që kanë të bëjnë me Ligjin e punës dhe me Ligjin e trajtimit të punëtorëve të arsimit dhe të udhëheqësve arsimorë.

Ndër problemet e diskutuar u mësua se kanë qenë edhe mungesa e planifikimit buxhetor përmes një kodi të veçantë të lehonisë, i cili gjithsesi po bëhet barrë në procesin mësimor duke rritur kështu në mënyrë enorme edhe trajtimin e këtyre mjeteve të munguara buxhetore sepse shtohet nevoja për zëvendësime të tilla.

Sipas Sfarqës edhe çështja e avancimit të Fakultetit të Shkencave Aplikative në një universitet ka qenë pjesë e debatit me zyrtarët e këtij komisioni.

Nait Hasani ka thënë se Komuna e ka mbështetjen e plotë të Komisionit në çështjet e ngritura.

“Nxënësit kanë nevojë të trajtohen më mirë, sidomos shkolla që ka mbetur pjesë e objektit të pa ndërtuar me vite. Ne do ta shtrijmë ndikimin tonë në Ministrinë e Arsimit dhe këtë shkollë ta funksionalizojmë që nga shtatori. Edhe për çështjen e universitetit dhe çështjen e kulturës, ne biseduam dhe besoj se janë fusha që duhet t’i ketë Ferizaj, si një qendër e rëndësishme e Kosovës”, ka thënë Hasani. (KosovaPress)