FDH: Tribunali jashtë Kosovës, i papranueshëm

Fondi për të Drejtat Humanitare (FDH) në Kosovë vlerëson se themelimi i një Tribunali me seli jashtë Kosovës e me zyrë administrative në Prishtinë, e i cili do të merrej me krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, është i papranueshëm.

Lajme

09/04/2014 14:14

“Argumenti kryesor kundër këtij Tribunali është se Kosovës i duhet të ndërtojë mekanizma dhe kapacitete që vet të ballafaqohet me krimet e luftës”, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga ky fond.

“Nëse krijohet Tribunali jashtë Kosovës, atëherë gjyqësori kosovar nuk do të ndihet i obliguar për shqyrtimin e rasteve te krimeve të luftës që, si rrjedhojë do të kishte dështimin e Kosovës në ballafaqimin me të kaluarën”.

Sipas FDH, me qëllim të efikasitetit më të madh në procedimin e krimeve të luftës, është i domosdoshëm bashkëpunimi zyrtar në mes të autoriteteve gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë, dhe se sipas këtij fondi, kjo temë duhet të futet ne dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

FDH Kosovë edhe një herë bën thirrje që të krijohet Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, që do funksiononte me trupa gjykues të përberë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe vendor.

“Është thelbësore që të bëhet ngritja e kapaciteteve të gjykatësve vendor, të cilët në të ardhmen do të marrin rolin udhëheqës në shqyrtimet e lëndëve për krime të luftës”.

FDH Kosovë po ashtu iu bën thirrje institucioneve kosovare që në tërësi të zbatojnë ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, ndërkaq nga vendet e BE-së dhe nga SHBA-të kërkon që të ofrojnë ndihmën e tyre në zbatimin e programeve të mbrojtës së dëshmitarëve.