EULEX trajnon Policinë e Kosovës si të kontrollojë turmat, në prag të protestës së opozitës (Foto)

Opozita këtë të shtunë do të organizojë protestën e radhës, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë së Kosovës. Në prag të kësaj proteste misioni evropian për rend dhe ligj në Kosovë, EULEX, ka organizuar një trajnim për Policinë e Kosovës, se si t’i kontrollojë turmat dhe trazirat.

Lajme

22/03/2016 10:45

Në një njoftim për media të dërguar nga EULEX thuhet se të enjten e kaluar, ata kanë organizuar një trajnim mbi kontrollimin e turmave dhe trazirave për Njësitë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës (PK), raporton lajmi.net.

Ky organizim sipas EULEX-it, ishte një mundësi për njësitë e Komandave regjionale që t’i formojnë njësitë dhe të stërviten për turbullirat e paparalajmëruara siç janë trazirat ose protestat e mëdha.

2

Protestat e organizuara nga partitë opozitare, në të shumtën e herave kanë qenë të dhunshme, duke bërë të nevojshëm reagimin e policisë për futjen nën kontroll të tyre.

Partitë opozitare, sikur para çdo proteste, edhe për këtë që do të mbahet të shtunën kanë thënë se do të jetë paqësore, por nuk kanë garantuar se nuk do të ketë dhunë, siç shprehen ata nga qytetarë të pakënaqur. /lajmi.net