EULEX nuk ka rol për vizita

Këshilltari i Kryeministrit Thaçi, Bekim Çollaku, ka demantuar pohimet e Aleksandar Vulin se zyrtarët serbë do të kërkojnë leje nga EULEX'i për ta vizituar Kosovën. Ai thotë se lejet kërkohen nga Qeveria e Kosovës dhe EULEX'i nuk ka rol në këtë çështje.

Lajme

08/10/2013 11:24

(E Plotësuar)

Këshilltari i Kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka demantuar pohimet e Aleksandar Vulin se zyrtarët serbë do të kërkojnë leje nga EULEX’i për ta vizituar Kosovën.

Çollaku ka thënë për lajmi.net se kjo nuk është e vërtetë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Procedurat dhe kriteret e njëjta mbesin në fuqi dhe lejet për vizita i jep vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërsa EULEX nuk ka asnjë rol në aranzhimin e këtyre vizitave”, ka sqaruar Çollaku.

_____________________________________________

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka lënë të kuptohet se edhe procedurat për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë kanë ndryshuar në takimin e mbrëmshëm ndërmjet Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic në Bruksel.

Sipas Vulin, siç raporton B92, kërkesat për vizita të bëra nga Qeveria serbe do t’i dërgohen EULEX’it dhe ky mision do të vendosë për pranimin apo refuzimin e tyre.

Ndërsa Tanjug citon Vulin’in të ketë thënë se lejet për vizita të funksionarëve serbë në Kosovë “sikur edhe deri tani do të kërkohën nga EULEX”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit të mbrëmshëm se për t’u realizuar vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë duhet të respektohen procedurat, të cilat ai nuk përmendi të kenë ndryshuar.

Deri më tani, procedurat ishin që në rast se një zyrtar qeveritar serb dëshiron ta vizitojë Kosovën, është dashur që një kërkesë t’ia drejtojë Qeverisë së Kosovës përmes Zyrës së Bashkimit Europian. Një përgjigje, qoftë pozitive apo negative, është dashur t’i kthehet Qeverisë serbe, përmes kanalit të njëjtë të komunikimit.