EULEX konfirmon arrestimin e Ivanovic

EULEX thotë se Ivanovic është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, në bazë të një marrëveshjeje paraprake. Sipas EULEX’it, Oliver Ivanovic ngarkohet me akuza për krime gjatë periudhës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Lajme

27/01/2014 18:07

EULEX ka konfirmuar arrestimin e liderit politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanovic.

Pas marrjes në pyetje rreth akuzave me të cilat ngakrohet, EULEX ka dalë me një deklaratë në të cilën thotë se Ivanovic është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, në bazë të një marrëveshjeje paraprake.

EULEX thotë se Oliver Ivanovic ngarkohet me akuza për krime gjatë periudhës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Kërkesa për paraburgimin e tij i është paraqitur gjykatës.

“Sot gjatë ditës, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit”.

“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim”.

“Aktualisht kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”, thuhet në komunikatën e EULEX’it.