EULEX kërkon që në Pallatin e Drejtësisë t’i bëhet vend edhe Gjykatës Speciale

Fundviti do t’i gjejë të gjitha institucionet e drejtësisë në një vend – në Pallatin e Drejtësisë.

Lajme

31/08/2014 21:27

Ministria e Administratës Publike ka konfirmuar për KTV-në se shumica e punëve kanë përfunduar dhe së shpejti pritet të nisë transferimi dhe vendosja e institucioneve të drejtësisë në këtë objekt. 

Në këtë objekt, që është rreth 55 mijë metra katrorë, pritet të vendosen Gjykatat, përfshirë atë Kushtetuese, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, raporton KTV. 

Por, KTV-ja merr vesh se edhe EULEX-i ka shprehur interesim që aty të rezervohen disa hapësira, ku mund t’i shërbejnë pastaj Gjykatës Speciale që pritet të funksionalizohet, transmeton koha.net. Ministria konfirmon se është krijuar një komision, i cili do të vendosë saktësisht se kush do të akomodohet në këtë pallat. 

Me objektet që tani janë duke u shfrytëzuar nga organet e drejtësisë, Ministria e Administratës Publike thotë se do të vendosë pastaj çfarë do të ndodhë, por ato që janë prona shoqërore do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit.