EULEX-i ia lë Gecin drejtësisë kosovare

Vendosi që të dorëzohet në mënyrë vullnetare në duart e EULEX-it, por misioni evropian për sundimin e rendit dhe ligjit nuk e mori në shqyrtim dëshirën e tij.

Lajme

27/08/2014 09:33

Gani Geci tani do të ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë vendore, pasi misioni i EULEX-it e ka refuzuar një gjë të tillë.

Masa e paraburgimit prej një muaji, Gecit i është shqiptuar të premten nga organet e drejtësisë vendore dhe më pas i njëjti është transportuar për në burgun e Lipjanit ku do të qëndrojë në mesin e shumë “burrave” të tjerë.

Zyrtarë të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX) i kanë deklaruar gazetës Tribuna se me rastin e Gani Gecit është duke u marrë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij misioni, Policia e Kosovës ka ekzekutuar urdhrin për arrest të Gecit, i cili është lëshuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Aktualisht EULEX mund të konfirmoj se javën e kaluar G.G, një i dyshuar për vrasje në një hetim në zhvillim e sipër nga Policia e Kosovës (PK), i është dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Policia e Kosovës ka ekzekutuar Urdhrin për arrest të lëshuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Prokuroria Speciale është duke punuar ngushtë me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe Policinë e Kosovës që të mbledhin fakte për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, e ndodhur në qendër të Skenderajt, ku i dyshuar është ish-deputeti Gani Geci.