Erdogan kritikon ashpër dhunën ndaj protestuesve në Francë

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka kritikuar ashpër dhunën e përdorur nga policia franceze kundrejt mijëra protestuesve që kanë kundërshtuar përgjatë javëve të fundit reformën e punëtorëve që po diskutohet në parlamentin e Francës.

Bota

31/05/2016 23:36

Sipas Erdogan, autoritetet u kanë privuar qytetarëve të drejtën për të protestuar lirisht. Ai lëshoi akuza të ashpra edhe në drejtim të medias perëndimore, duke thënë se televizionet nuk i kanë transmetuar pamjet e dhunës.

“Unë dënoj policinë e Francës për përdorimin e dhunës kundrejt qytetarëve që përdorin të drejtën e tyre për të protestuar. Dua gjithashtu që të denoncoj median perëndimore, e cila nuk i ka transmetuar përpara botës këto incidente mjaft shqetësuese. U bëj thirrje organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe politikanëve perëndimorë që të jenë më sensitivë ndaj asaj që po ndodh në Paris”, ishin fjalët e Presidentit turk.