Erdogan, i ashpër menjëherë pas shpalljes fitues

Kryeministri turk Reccep Tayyip Erdogan ka fituar bindshëm zgjedhjet komunale të Turqisë. Në fjalimin e tij pas fitores ai ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe një përzierje me vetëlavdërim.

Bota

31/03/2014 21:57

Fjala “fjalimi në ballkon” ka në një kuptim krejt të veçantë në fjalorin politik turk. Ai përshkruan fjalime pas zgjedhjeve, në të cilat evokohet e përbashkëta, ajo që bashkon përtej kufijve partiakë. Kryeministri Erdogan ka mbajtur shumë fjalime pajtuese ballkoni në dhjetë vitet e fundit. Këtë herë është ndryshe. Fjalimi i fitores pas zgjedhjeve komunale ishte një shpallje lufte ndaj kundërshtarëve politikë, përzier me shumë vetëlavdërim.

“Ne kemi demokracinë, të cilën perëndimi e ëndërron”, tha Erdogan. Kritikët e tij i paralajmëroi. “Ne nuk do t’ia lëmë këtë vend Pensilvanisë”, tha ai duke aluduar për armikun e tij personal, predikuesin islamik Fethullah Gülen, që jeton në këtë shtet të SHBA-së. “Një fjalim fitoreje dhe lufte”, vuri në dukje kolumnisti Kadri Gürsel.

Me rreth 43 për qind të votave në të gjithë vendin, këto janë rezultatet e pjesshme jozyrtare të mediave turke, partia islamike konservatore AKP e Erdoganit lë shumë pas konkurrencën në zgjedhjet lokale. Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009, AKP fitoi edhe katër përqind të tjera. Partia sekulariste opozitare CHP sipas rezultateve jozyrtare mbetet nën 30 për qind. Të hënën (31.03.2014) nuk kishte ende rezultate zyrtare të autoriteteve zgjedhore turke. Në Stamboll, qytetin më të madh të vendit, AKP mundi CHP, ndërsa rezultatet në kryeqytetin Ankara ishin aq afër njëra-tjetrës, saqë fituesi nuk dihej akoma në mëngjesin pas zgjedhjeve.

Erdogani nuk humbi shumë kohë me hollësitë e rezultateve. “Pas zgjedhjeve është para zgjedhjeve”, këtë e tregoi shumë qartë fjalimi i tij. Ai shpotiti opozitën, “e cila gjithmonë dështon në zgjedhje. Në Turqinë e re kemi nevojë për një opozitë të re”, tha Erdogan, i cili i ka drejtuar sytë tek zgjedhjet presidenciale të gushtit, në të cilat ai mund të kandidojë.

(Deutsche Welle).