Ekspertët me ide të ndryshme për të ardhmen e Trepçës

Ndërmarrja “Trepça” do të duhet të hyjë në një projekt zhvillimor që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik. Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga kolegji evropian “Juridika” dhe Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” lidhur me temën “Trepça- sfidë ekonomike dhe juridike”

Lajme

03/02/2015 16:47

Në këtë debat u diskutuan ide të ndryshme për të ardhmen e gjigantit metalurgjik “Trepça”, duke e bërë joshëse për investime të huaja. Në debatin e sotëm, ku u diskutua edhe për Trepçën veriore, u konstatua se rekomandimet nga kjo tryezë të përpilohen dhe në një afat sa më të shkurtër të dërgohen në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës, transmeton KosovaPress.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava tha se kjo ndërmarrje duhet të shndërrohet në një ndërmarrje me partneritet publiko-privat, në mënyrë që t’i vazhdohet jetësimi i saj.

Ai tha se Trepçës duhet t’i kthehet një plan zhvillimor, përderisa edhe më tutje problematik mbetet statusi i saj. 

Ndërkaq, duke folur për statusin, profesori i së drejtës pronësore, Haxhi Gashi tha se shndërrimi i saj në një ndërmarrje publike mund të destabilizojë buxhetin e Kosovës, për shkak të borxheve. Ai theksoi se Trepça është në pronësi të shtetit të Kosovës.

“Trepça është pronësi të Republikës së Kosovës, menaxhohet nga organet e saj pavarësisht statusit aktual çfarë e ka. Ka pretendime ndaj Trepçës të kreditorëve të supozuar, por kjo nuk do të thotë se ato janë të ligjshme, këtë e them në bazë të analizave që i kemi bërë”, tha Gashi.

Sipas tij, vlera e borxheve të pretenduara mund të arrijë shumën prej 200 milionë eurosh.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku foli për rëndësinë e Trepçës dhe tha se ajo është e ndarë në vija etnike 

“Definitivisht, Trepça është ndarë në linja etnike, do të thotë Trepça nuk funksionon më si një kompani e integruar, qeveriset nga institucionet e Kosovës dhe qeveriset në mënyrë klandestine kriminale nga grupe kriminale të Serbisë. Ajo që gjithnjë është trumbetuar si arsyetim është gjendja e cila është krijuar këto 16 vite, është se Trepça ka paqartësi të mëdha”, tha Sadiku.

“Kalimi i Trepçës në ndërmarrje publike nuk është mbyllje e derës së kapitalizmit sepse po të ishte ashtu do të frikësoheshin të gjithë nga ne. Në radhë të parë do të frikoheshin investitorët, por unë shpresoj se ndryshimi i statutit duhet ta ndërprejë këtë qeverisje në baza etnike të Trepçës. Duhet ta integrojë Trepçën, duhet të integrohet menaxhmenti i Trepçës edhe kjo duhet të shërbejë për hapje të Trepçës ndaj investimeve të jashtme”, vlerësoi ai.

Për ish-drejtorin e Trepçës, Ferat Shala, kjo ndërmarrje ka nevojë për ristrukturim dhe rivitalizim që do të sillte një lëvizje ekonomike nga kjo situatë në të cilën gjendet.

“Ne kemi një arsyeshmëri për të nisur procesin e rivitalizimit dhe rehabilitimit. Pa marrë parasysh pozicionin juridik, statusin e saj, në bazë të legjislacionit aktual jemi të bindur se perspektiva zhvillimore e aseteve thelbësore të Trepçës ka nevojë për ristrukturim”, ka thënë Shala.