Edi Rama: Tragjike vrasja e Ivanoviqit, dialogu të thellohet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur keqardhje për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Veri të Mitrovicës mëngjesin e sotë. Ai thotë se kjo vrasje është akt që nxit urrejtje dhe tensione.

Lajme

16/01/2018 14:04

Pas vrasjes së kryetarit të iniciativës “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanovic, kanë reaguar edhe kretët shtetërorë të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur tragjedi vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa thotë se edhe pas kësaj, dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe të thellohet.

“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviqit, akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, ka shkruar kryeministri shqiptar në Facebook.

Mëngjesin e sotëm, Ivanoviq po shkonte në zyrën e tij, kur u sulmua nga një makinë në lëvizje. Ishin katër plumba fatalë për kreun e iniciativës qytetare SDP në Veri.

Derisa po transportohej për në spital, Ivanoviq nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Në sallën e operacionit ai u fut pa shenja jete.

Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar rreth vrasjes së tij, ndërsa në Veri të Mitrovicës është gjetur një veturë, që dyshohet të ketë qenë e dorasit. /Lajmi.net/