Edhe turqit dhe boshnjakët kushtëzojnë ndërrimet kushtetuese

Përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk shprehen pro ligjit për zgjedhje që pritet të votohet nesër në Kuvend. Sipas tyre, vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara për pakicat do t’i kontribuonte integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.

Lajme

02/04/2014 21:14

Rasim Demiri nga subjekti VAKAT thotë se nuk do ta kushtëzojë votimin e asnjë ligji me vazhdimin e vendeve të rezervuara, meqë sipas tij pak ka gjasë që një gjë e tillë të arrihet, raporton RTK.

“Si për komunitetin boshnjak ashtu edhe për komunitetin serb, edhe një mandat shtesë do të kontribuonte për integrim të mëtejshëm të komuniteteve pakicë në shoqërinë kosovare. Pra, ne edhe më tutje jemi që së paku edhe në një mandat legjislativ të kemi vende të rezervuara”.

“Mirëpo, një gatishmëri e tillë nuk shihet tek partitë shumicë, pos tek PDK-ja meqë vetë kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, gjatë disa takimeve na ka premtuar mbështetje në këtë kërkesë tonën”.

Edhe Mahir Jagxhillar thotë se nesër subjekti që ai përfaqëson do të votojë pro ligjit për zgjedhje, mirëpo ai thotë se në momentin kur ndonjë ligj i ardhshëm do të kërkojë ndryshime kushtetuese, atëherë subjekti i tij si pjesë të ndryshimeve do të kërkojë edhe vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Me gjithë përpjekjet, asnjë përfaqësues i subjektit më të madh serb të përfaqësuar në Kuvend, SLS nuk u shpreh i gatshëm të deklarohej rreth votimit ose jo të ligjit për zgjedhje.

Ndërkaq, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, duke folur për mediat serbe, ritheksoi se Bashkimi Evropian dhe shtetet e BE-së disa herë kanë kërkuar që vendet e rezervuara për komunitetet në Kuvendin  e Kosovës të vazhdojnë edhe më tutje, veçmas duke u bazuar në faktin se edhe serbët e veriut po marrin pjesë në zgjedhje.