Edhe shefja e Akreditimeve ka botuar në revista indiane

Në debatin e sotëm “Puls” të KTV-së, përball Mefail Bajqinovcit, mysafirë ishin Ferdije Zhushi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit të lartë, Hasnije Iljazi, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, dhe Besnik Krasniqi, gazetar në Koha Ditore.

Lajme

28/07/2014 23:17

Debat i ashpër u zhvillua mes Besnik Krasniqit, Ferdije Zhushit dhe Dukagjin Pupovcit.

Ferdije Zhushi tha se nuk bëhet lehtë akreditimi në Kosovë pasi agjencia ka vendosur sistem dhe procesi i akreditimit nuk është i lehtë.

“Ne nuk mund të bëjmë prerje të thella me ndërpre ashtu siç po mendoni, pastaj investimi në arsim është i ulët. S’ka cilësi pa pare”, tha Zhushi.

Besnik Krasniqi tha se Universiteti i Prizrenit dhe Universiteti i Pejës kanë funksionuar në mënyrë të paligjshme, “pra ka startuar në mënyrë të paligjshme pa vendim të Kuvendit ndërsa ju i keni dhënë akreditim me kusht, pa vendim të Kuvendit”.

Ndërkaq, Hasnije Iljazi tha se rekomandimet që vijnë nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës ndonjëherë janë totalisht të paimplementueshme për shkak të mungesës së financave.

Dukagjin Pupovci, ndërkaq, tha se ka ndikime politike edhe në Agjencinë e Akreditimit.

“Janë formuar pesë universitete të reja publike në Kosovë, asnjëri prej tyre kushtet ligjore për të qenë universitet nuk i përmbush, por agjencia nuk mundet me dal jashtë vendimeve politike dhe e gjejnë një kompromis dhe thirret Universitet në themelim, diçka që në ligj nuk e kemi, dhe po krijojmë iluzion se kemi kapacitete me i mbajt gjashtë universitete, kurse sa i përket financave për këtë vit do të shpenzohen 569 euro për kokë studenti, vitin e ardhshëm 462, në vitin 2016 do të jetë 437 euro. Pra, çfarë cilësie pritni kur shkurtohet buxheti çdo vit? Kjo edhe është influencë politike”, vlerësoi Pupovci, transmeton Koha.net.

Zhushi thotë se Agjencia e Akreditimit asnjëherë nuk është konsultuar kur janë themeluar universitetet e reja publike “dhe unë mendoj se ato më mirë ka qenë të themeloheshin si degë të reja të Universitetit të Prishtinës sesa të jenë universitete të reja”.

Besnik Krasniqi e pyet Zhushin se a i plotësojnë kushtet për tu akredituar si universitete këto që i ka hapur Qeveria.

“Në këtë moment asnjëri nuk i plotëson kushtet për të qenë universitet”, u përgjigj Zhushi.

Pupovci tha që mendon se ka institucione private që e meritojnë të jenë universitete.

“Unë mendoj se ka institucione private që e kanë cilësinë shumë të mirë. Problem në institucionet private është mungesa e stafit akademik që duhet të jenë të rregullt. Në momentin që arrihet stafi akademik dhe programet, ne do të punojmë të bëhen universitete”, tha Zhushi.

Më pas nisi edhe të nxehet debati pasi gazetari Besnik Krasniqi thotë se Agjencia e Kosovës për Akreditimi është politike, “në bord janë politikanë, ambasadorë, krejt politikanë. Qysh nuk jeni i politizuar”.

Zhushi tha se nuk ka. “Besnik, ashtu qysh po mendon të pavarur, s’ka asnjë institucion pa politikanë, por ne jemi të pavarur në punë”, tha Zhushi.

“Agjencia e Akreditimit ka qenë shumë indiferente pas daljes në publik të botimeve nëpër revista të rreme të profesorëve në UP edhe rektorit Gashi. A e dini pse? Sepse edhe ju Zonja kryetare keni botuar punime nëpër revista të tilla”, i tha Krasniqi Zhushit.

“Ju Besnik a po doni me i qitë në turmë të druve profesorët. Është e vërtetë që unë kam publikuar një punim. E vërteta është që institucioni mund të thotë: Ferdije mund t’i kesh 0 pikë ose 5 pikë”, ka thënë Zhushi.