Edhe Kryetari i Kamenicës e shet xhipin e Komunës

Pas Shpend Ahmetit në Prishtinë, edhe Begzad Sinani heq dorë nga vetura luksoze. Me iniciativën e tij, Kuvendi Komunal i Kamenicës vendosi ta shesë veturën zyrtare “Hyundai”. Vetë Sinani tha se nuk është njeri i luksit.

Lajme

01/03/2014 07:28

Kuvendi Komunal i Kamenicës ka marrë vendim të premten për shitjen e xhipit “Hyundai”, i blerë nga ish kryetari i Kamenicës Shaip Surdulli në vitin 2010 në vlerë 38.700 euro.

“Unë do të mendoj për një makinë komode që i kryen disa shërbime deri në Prishtinë sepse nuk jam njeri i luksit”, ka thënë kreu i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani.

Zyra për menaxhimin e pasurisë komunale, ka thënë se zhvlerësimi i veturës për tri vite është afro 17 mijë euro. Sipas kësaj zyreje, për riparimin dhe mirëmbajtjen e “xhipit” janë shpenzuar 4.500 euro ndërsa për derivate janë shpenzuar 30 mijë euro gjatë tri viteve, raporton rajonipress.

Kryetari i komunës, Begzad Sinani, tha se nuk e ka komoditetin të ketë një veturë që harxhon shumë dhe ka kosto të lartë për mirëmbajtje dhe shpenzime të larta.

“Kërkesat e qytetarëve janë të mëdha dhe është mirë të mendojmë më shumë për kategoritë sociale dhe t`iu dalim në ndihmë atyre ose të ndihmojmë klubet sportive, si psh, Handikosin, por krejt kjo varet prej delegatëve se ku do të destinohen mjetet me shitjen e Xhipit” u ka thënë Sinani këshilltarëve të premten.