Edhe Hasani përshëndet vendimin për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk e ka dekretuar Ligjin për Shoqëritë Tregtare, rrjedhimisht e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim. Vendimin e Presidentit e ka përshëndetur ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Lajme

04/04/2018 19:23

Hasani ka thënë se disa nene të këtij ligji i kishte kontestuar që në fillim.

Postimi i Hasanit:

Ditën kur debatuam në Kuvend Projektligjin për Shoqëritë Tregtare e kundërshtova miratimin e amendamentit me të cilin obligohen bizneset private (shoqëritë aksionare) që në bordet e tyre të kenë 40 për qind femra, ndërsa pas dy vitesh të bëhet 50 për qind.

Duke ua imponuar bizneseve private që në bordet e tyre të kenë përfaqësim 50 për qind të femrave, ne po ndërhynim në çështjet e sektorit privat.

Me gjithë kundërshtimet tona ai amendament kaloi.

Pas saj patëm edhe ankesa të mëdha të bizneseve për të cilët kjo ishte një padrejtësi.

Sot, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L – 016 për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

E përshëndesim këtë vendim të presidentit Thaçi dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga Kuvendi që ta kthejnë sa më shpejt në rishqyrtim këtë ligj sepse me kalimin e këtij ligji e rregullojmë veprimtarinë e shoqërive tregtare, nxisim dhe lehtësojnë themelimin dhe funksionimin e tyre. Me anë të këtij ligji krijojmë në ambient më të mirë për të bërë biznes në Kosovë. /Lajmi.net/