Edhe Fivestar-i bëhet me konkurrent

Me shërbime që do të jenë “low cost”, pra me çmime të ulëta dhe të pranueshme për të gjitha shtresat e shoqërisë, “Fitnox” pritet të ketë hapësirë gjigante prej më shumë se 750 metrash katrorë dhe pajisje të fjalës së fundit.

Lifestyle

04/07/2016 10:43

Nisi me 5, si 5 yjet e njohura që dëshmojnë cilësinë gjithandej botës. Bëhet fjalë për qendrat e fitnesit   “Fivestar” që kanë rezultuar të jenë më të kërkuarat në vendin tonë.

Megjithatë, duket se konkurrenca e denjë po troket në dyert e “Fivestar”. Marrim vesh se tashmë një qendër fitnesi e fuqishme do të ‘dislokohet’ në Kosovë, e që për nga shërbimet e ofruara pritet të jetë një “klasë” në vete.

“Fitnox” është emri i qendrës me të re të fitnesit që mund të shkaktojë dridhje sa i përket fushës së të “bërit ushtrime” në Kosovë.

Me shërbime që do të jenë “low cost”, pra me çmime të ulëta dhe të pranueshme për të gjitha shtresat e shoqërisë, “Fitnox” pritet të ketë hapësirë gjigante prej më shumë se 750 metrash katrorë dhe pajisje të fjalës së fundit.

Bëhet fjalë për pajisjet e prodhuesit “Precor”, që aktualisht në Kosovë i ka në përdorim vetën “Fivestar”. Përveç tjerash, ky fitnes do ta ketë një koncept modern të qasjes në palestër. Koncepti i qasjes do të jetë online si dhe kontrollimi i dyerve të gardërobës online, e poashtu dhe kontrolli i ujit në kabinën e dusheve.

“Fitnox” shkon edhe një hap me tej, duke sjellë pajisje për “stërvitje funksionale” apo siç njihet ndryshe në anglisht Functional Training të modelit Queenax.

Dhe ajo që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me faktin se në palestër mund të ushtrojnë në të njëjtën kohë më shumë se 200 persona, ndërkohë ajri do të mbetet po aq i freskët sikur të mos ishte askush. Kjo ndodh, pasi që ajri do të freskohet deri në nëntë herë në orë.

Pra, duke i marrë për bazë të gjitha këto asete që do t’i ketë në dispozicion “Fitnox”, atëherë kemi të bëjmë me një kompani serioze që në tregun kosovar do të lë gjurmë.

Por, a ia ka dronë “Fivestar” konkurrencës, në këtë rast paralajmërimit për hyrje të fuqishme në tregun kosovar të “Fitnox-it”? Nga “Fivestar” theksojnë se mirëpresin konkurrencën, mirëpo nuk ia kanë frikën.

Sipas themeluesve të “Fivestar”, ata kanë funksionuar me dekada në ambient konkurrues të ashpër dhe një konkurrencë e mirëfilltë është me shumë motivuese sesa brengosëse. Kjo, sipas tyre, do të përmirësojë dhe rris cilësinë e shërbimeve, si dhe zgjerimin e tyre.

“Flasim prej përvojës, një konkurrencë e nivelit të përafërt në cilësi, në ofrimin e shërbimeve, do të favorizojë edhe më shumë anëtarët e industrisë së fitnesit në përgjithësi, si dhe do ta shtyjë  industrinë e fitnesit në vendin tone edhe me tutje, drejt standardeve te vendeve të zhvilluara”, thonë themeluesit e “Fivestar”.

Tutje, ata thonë se nëse ofertuesit tjerë të shërbimeve të fitnesit janë të përafërt me cilësinë e shërbimeve që i ofron “Fivestar”, sipas tyre, do të jetë i mundur edhe bashkëpunimi.

“Ky bashkëpunim mund të ndodh në segmentet e ofrimit të shërbimeve të kombinuara, si dhe kombinimeve tjera të biznesit”, vlerësojnë ata.