Edhe dy shtete pritet ta njohin Kosovën

Pas njohjes së Kosovës nga Ishujt Solomon, shumë shpejt edhe dy shtete tjera do të njohin Republikën e Kosovës, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm në detyrë, Petrit Selimi .

Lajme

13/08/2014 19:43

Zëvendësministri Selimi tha se pavarësisht zhvillimeve politike në vend, angazhimi për njohje të reja nuk mungon. sipas tij, Kosova do të aplikojë të jetë anëtare edhe në mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës.

Njohja e Kosovës nga Ishujt Solomon vlerësohet sukses dhe rezultat nga zyrtarë të institucioneve. Petrit Selimi tha për Radio Kosovën se është punuar shumë për njohje multilaterale edhe nga organizatat ndërkombëtare. Ai tha se shumë shpejt do të bëhet e ditur edhe njohja nga dy shtete tjera.

“Po, është e vërtet se vendimi për njohjen e Kosovës tashmë gati është harmonizuar së paku edhe në dy shtete tjera, të cilat tash e disa javë janë në përgatitje të njoftimit të Kosovës për njohje”, tha ai.

Selimi tha se Kosova tashmë njihet nga gjysma e shteteve të OKB-së dhe po punohet drejt krijimit të një shumice prej dy të tretave të shteteve të OKB-së që e njohin Kosovën. Ai tha se deri në fund të vitit Kosova do të aplikojë për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës.

“Dhe, paralelisht po punojmë në pranimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, unë besoj që deri në fund të vitit, ashtu siç ka paralajmëruar edhe ministri Hoxhaj, ne do të dorëzojmë aplikimin e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, që është organizata më e madhe pas BE-së në botë”, tha Selimi për Radio Kosovën.

Kosova deri sot zyrtarisht është njohur nga 108 shtete.