Edhe 3 muaj aplikojmë për anëtarësim në KiE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpalosur në Qeveri aktivitetin e tij të takimeve me zyrtarë të lartë të Brukselit. Ai tha se Kosova pritet të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës në tre muajt e vitit të ardhshëm.

Lajme

24/12/2014 11:25

Për një gjë të tillë, Thaçi thotë se Kosova i ka plotësuar kriteret për aplikim, kjo pasi që edhe 34 nga 47 vende të KiE-së gjithsej e kanë njohur shtetin e Kosovës.

“Shpresojmë që në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtar të aplikojmë në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Duam të besojmë se aplikimi ynë nuk do të ngjallë ndonjë debat të panevojshëm në Këshillin e Evropës”.

Thaçi me sekretarin e përgjithshëm të KE-së, Thorbjorn Jagland e me zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian, Frederica Mogherini ka thënë se ka diskutuar edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Por, temë diskutimi, siç tregoi ai, ka qenë edhe Gjykata Speciale e pjesëmarrja në luftërat e huaja.

“Është diskutuar edhe për nevojën e nxjerrjes së legjislacionit të Gjykatës Speciale dhe ligjin për pjesëmarrjen në luftërat e huaja, për çka si qeveri e kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës”, potencoi Thaçi.