E ashpër kundër manipulimeve

Atifete Jahjaga një ditë para zgjedhjeve lokale ka dalë me një mesazh të fortë kundër manipulimit të votave. Ajo i ka cilësuar këto zgjedhje si tejet të rëndësishme për proceset e mëtejshme të demokratizimit të vendit.

Lajme

02/11/2013 14:31

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka tërhequr vërejtjen të gjithë atyre që mendojnë të manipulojnë me vota, se do të marrin ndëshkimin e merituar.

Një ditë para ditës së zgjedhjeve, e para e vendit ka përçuar një mesazh të fuqishëm në mbrojtje të votave.

Në një takim me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale, Jahjaga tha se zgjedhjet lokale do të jenë një test shumë i rëndësishëm për demokracinë në vend.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit janë të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ato sigurojnë tërësinë territoriale dhe subjektivitetin e vendit. Zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, janë testi ynë i demokracisë dhe mbarëvajtja e tyre garanton rrugën tonë drejt integrimeve evropiane, drejt përparimit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”.

“Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës do të ndëshkohet fuqishëm.

“Shkeljet janë të patolerueshme dhe të papranueshme, sepse ato do ta pengojnë rrugën tonë drejt ndërtimit të shtetit demokratik, të lirë dhe të barabartë me të gjitha shtetet e tjera kudo në Evropë”.

Presidentja Jahjaga ka thënë se një e veçantë e këtyre zgjedhjeve është përfshirja për herë të parë të komunave në pjesën veriore të Kosovës.

“Zgjedhjet lokale, që përfshijnë edhe komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do të mundësojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb të këtyre komunave, në shoqërinë dhe në institucionet e vendit, duke ndihmuar kështu në përshpejtimin e rrugës evropiane për Kosovën”.

“E drejta e qytetarëve të komunitetit serb, qoftë në veri apo në jug, apo në cilëndo pjesë tjetër, për të marrë pjesë në proceset e zhvillimit të përgjithshëm të vendit, është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës”.

Presidentja Jahjaga ka pritur të gjithë përgjegjësit institucional për zgjedhje duke përfshirë, kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, kryeprokurorin e shtetit, Ismet Kabashi, prokuroren e shtetit,  Laura Pula, kryetarin e PZAP, Shukri Sulejmani dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.