Duhet ta mundim regjimin

Albin Kurti foli ashpër në Mitrovicë. Ai akuzoi rëndë Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Zv/Kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli, në një tubim të mbajtur në këtë qytet. Kurti tha se në veri të qytetit, shqiptarët po i terrorizon Serbia, e në jug SHIK’u.

Lajme

20/10/2013 17:06

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në kuadër të fushatës elektorale, ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor në Mitrovicë, ku ka deklaruar se subjekti i tij politik angazhohet jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete për bashkim kombëtar, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie e popullit.

Ai tha se Mitrovica është vendi prej nga duhet të nisin zhvillimet pozitive për Kosovën.

“Shkatërrimi i ish-Jugosllavisë ka nisur në Trepçë, dhe zhvillimi i Kosovës bëhet përmes Trepçës”.

“Nuk mund të flasësh për Mitrovicën, pa e menduar rivitalizimin e Trepçës, dhe nuk mund të flasësh për Trepçën, pa e menduar bashkimin e Mitrovicës”.

Para qytetarëve të Mitrovicës, Kurti foli edhe për Marrëveshjen e 19 Prillit mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, të arritur me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton.

“Nga Marrëveshja Thaçi-Dacic, më së shumti ka pësuar Mitrovica. Veriu u bë me fond zhvillimor, e me komandant serb të policisë dhe me gjykatë të veçantë. Jugu i Mitrovicës jeton me standard 2 herë e gjysme më të ulët sesa veriu”.

“Këta po bëjnë fond të veçantë për veriun në Kosovën e pazhvilluar, e ku pjesa më e pazhvilluar është pikërisht qyteti i Mitrovicës, në jug të lumit Ibër”.

“Hashim Thaçi e Kadri Veseli, këtu në Mitrovicë por edhe në krejt Kosovën, po bëjnë politikë antikombëtare dhe proserbe”.

“Në veri të qytetit, shqiptarët po i terrorizon Serbia, e këtu në jug po i terrorizon SHIK’u”.

Albin Kurti tha se aktualisht Kosovën dhe Mitrovicën po e sundon koalicioni PDK-SPS.

“Vetëm me Vetëvendosje!-n, me frymën e saj kombëtare, me konceptin e saj shoqëror, me alternativën e saj qeverisëse, me dijen dhe guximin e saj, mund të fitojmë, duhet të fitojmë, sepse mund ta luftojmë këtë regjim, duhet ta luftojmë këtë regjim, dhe duhet të ngadhënjejmë mbi këtë regjim”.

“Po nuk e pate mbiemrin Thaçi, Grabovci, Veseli, Kastrati, e të ngjashëm, nuk ka vend pune. Me Vetëvendosjen përfundon nepotizmi në Komunën e Mitrovicës dhe në krejt Kosovën. Punësim do të ketë vetëm sipas profesionit, aftësisë, mençurisë, guximit, përkushtimit, punës, nderit, patriotizmit”.