Duhet ndryshim në politikë

Jakup Krasniqi fton që më 3 nëntor të votohet Iniciativa Qytetare e Drenasit. Ai thotë se Kosova dhe Drenasi ka nevojë për ndryshim politik dhe qeverisës.

Lajme

28/10/2013 20:31

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili i ka prishur punët me PDK’në dhe ka dalë hapur në mbështetje të Iniciativës Qytetare të Drenasit, ka pohuar se Kosova dhe Drenasi kanë nevojë për një ndryshim politik dhe qeverisës.

Në një tubim të organizuar nga Rinia e Iniciativës Qytetare të Drenasit, të hënën, ai ka bërë thirrje që me 3 nëntor të votohet kjo Iniciativë.

“Këtu jemi për t’i treguar të rinjve që Drenasi dhe Kosova  kanë nevojë për një ndryshim të ri politik dhe qeverisës. Jemi këtu për të treguar se Kryetari i Iniciativës Qytetare të Drenasit, Izet Ibrahimi, është njeriu më i  qëlluar për ta udhëhequr Drenasin në katër vjetët e ardhshme”, ka thënë Jakup Krasniqi.

“Mund ta ndryshojmë qeverisjen në Drenas dhe mund ta ndryshojmë dhe duhet ta ndryshojmë komunikimin e pushtetit  me qytetarët e Drenasit. Unë jam këtu argat i juaji. Unë jam këtu për të mbështetur Kryetarin e Iniciativës për Drenasin, Izet Ibrahimin”.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Drenasit nga Iniciativa Qytetare, Izet Ibrahimi, ndërkaq, ka folur për “mendimin e lirë” dhe për “rikthim të demokracisë.”

“Ka ardhur koha për të promovuar mendimin e lirë. Ka ardhur koha për të promovuar lëvizjen e lirë dhe bashkimin si vlerë të pakontestuar. Ka ardhur koha e rikthimit të demokracisë. Ka ardhur koha e profesionistëve dhe brezit të ri për të promovuar dinjitetshëm aftësitë, përvojën dhe energjitë e veta krijuese.”

“Ndryshimi ka filluar. Tani është momenti të dëshmojmë përgjegjësi, ta bëjmë Drenasin të ndihet krenar. Bashkimi ynë rreth Iniciativës Qytetare për Drenasin është shfaqur si imponim, pasi që rrugët që i trasuam bashkërisht i pushtoi fryma e militantizmit, e cila në vend të zhvillimit, solli rrënimin.”