Duan ujë në Prishtinë

Banorët e lagjes Bregu u Diellit kanë protestuar për shkak të reduktimeve të ashpra të ujit. Ata thonë se vetëm 4 orë në ditë kanë ujë. Kërcënojnë se nuk do t`i paguajnë faturat.

Lajme

19/10/2013 13:52

Një numër i vogël i banorëve të Lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë kanë protestuar sot para filialit të ujësjellësit për mungesë të ujit.

“Uji është jetë”, “Stop reduktimeve të shumëfishta” dhe “Po du ujë”, kanë qenë disa nga pankartat që ata i kanë mbajtur në duar gjatë protestës.

Kryetari I Bashkësisë Lokale, Nexhip Hoxha, e ka fajësuar menaxhmentin e ujësjellësit dhe Komunën për mungesë të ujit.

“Kjo që po ndodh në lagjen tonë është pakujdesi thjesht e menaxherëve të ujësjellësit, por mund të them edhe të vetë Komunës”.

“Prej orës 10 të natës deri në orën 6 nuk kemi ujë, ose prej orës 10 të ditës deri në orën 5 në mbrëmje”.

Hoxha ka thënë se këta udhëheqës duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të mendojnë për qytetarët sepse ata paguhen nga kontributi i qytetarëve.

Blerta Aliu nga kjo lagje thotë se e muaj të tërë janë duke u përballur me reduktime të ashpra.

“Ka një kohë të gjatë që ne nuk kemi ujë, kemi vetëm katër orë në ditë ujë, do të thotë 20 orë reduktim. Me muaj të tërë përballemi me këtë problem”.

Ajo ka kërcënuar se banorët nuk do të paguajnë faturat e ujësjellësit.

“Nëse ata nuk i marrin parasysh këto kërkesa, atëherë ne nuk do të paguajmë faturat e ujit të cilat dhe ashtu janë të fryra dhe paushalle dhe do të vazhdojmë edhe me protesta tjera”.