Drogë, granata dhe kapsolle, në pranga vëllezërit korçarë
Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Korçës nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Lajme
Në bazë të operacionit të koduar “Intenerari” u sekuestruan 8 kilogramë e 700 gramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa, disa granata ofensive luftarake dhe kapsolla detonatore.
Për pasojë u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të një pike karburanti, vëllai i tij, si edhe një punonjësi i këtij biznesi për veprën “Moskallëzimi i krimit”.
Të arrestuar janë
• Andrea Kapurani, 35 vjeç,
• Petro Kapurani, 45 vjeç, (vëllezër) dhe
• Asllan Spahillari, 58 vjeç, të tre banues në Korçë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i fshatit Dishnicë”, në pikën e karburantit në pronësi të shtetasit Petro Kapurani, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar, në një ambient të përshtatur për depozitë uji kanë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
6(gjashtë) pako me peshë rreth 8,7 kg lëndë të dyshuar si narkotike Cannabis Sativa.
4 granata luftarake ofensive si edhe
3 kapsolle detonatore.
Gjithashtu lidhur me këtë rast, po vijon puna për verifikimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të mjeteve të transportit dhe burimeve të tjera të përfitimit të të ardhurave dhe fillimin e procedimit penal për veprën penale ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Materialet në ngarkim të dy vëllezërve i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; ”Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake”, si edhe për “Moskallëzim krimi” ndaj shtetasit tjetër parashikuar nga nenet 283/2, 278 e 300 të Kodit Penal. /Express/
