Doganat e Kosovës në funksion të shuarjes së bizneseve

Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe bizneset kanë reaguar ndaj vendimit të njëanshëm të Doganave të Kosovës për pezullimin e importeve e eksporteve të 219 subjekteve biznesore nga vendi, nga 1 dhjetori i këtij viti.

Lajme

10/12/2014 17:46

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se nga shumë biznese vendore dhe ndërkombëtare kanë marrë ankesa për pezullim e bllokim të importeve dhe eksporteve nga 1 dhjetori.

“AKB-ja vlerëson të dëmshëm një vendim të tillë të Doganës kundër 219 kompanive nga sektorë të ndryshëm, të cilët sipas doganës kanë borxhe individuale nga 500 euro deri në gjysmë milioni euro”, tha Shahini.

Sipas tij ky veprim rrezikon mbi 6,500 punëtorë, 219 kompani dhe rreth 50 kontrata me biznese të huaja.

“AKB-ja bën thirrje që gjithnjë të respektohet ligji, si nga bizneset ashtu edhe nga oficerët doganorë, derisa ankesat apo lëndët të shqyrtohen e vendosen nga gjykatat të mos ketë bllokime të importeve eksporteve e punës”, tha ai, raporton KosovaPress.

Sipas kryetarit të AKB-së, ky është edhe një presion jo adekuat për mbushjen e buxhetit sipas metodës “paguaj e ankohu”.

“Ky pezullim do të krijojë një njollë jo të hijshme edhe për investitorët e huaj, sepse shumë kompani nga jashtë kanë njoftuar për këtë veprim ambasadat e huaja në vendin tonë”, tha Shahini.

Ai kërkoi nga Dogana që të presin e respektojnë vendimet e gjykatave e asesi të marrin veprime të kundërligjshme para se gjykatat të marrin vendime të prera.

Sylejman Klinaku, zyrtar ligjor i AKB-së, kërkoi nga Doganat e Kosovës që të shfuqizojnë vendimin për pezullimin e importeve të subjekteve biznesore, sepse shkaktohen dëme të pariparueshme e probleme të tjera.

“Dogana të gjejë mënyra tjera dhe të presë vendimet e gjykatave e bizneset të vazhdojnë me punë dhe ata që kanë borxhe t’i shlyejnë ato. Nuk jemi të interesuar që t’i ikim tatimeve”, tha Klinaku.

Ismet Rexhepi, pronar i kompanisë Eurogoma, tregoi se nga 1 dhjetori i këtij viti nëpërmjet një njoftimi i është pezulluar aktiviteti, kinse kjo kompani paska borxhe të vjetra në vlerë prej 432 mijë eurosh ndaj Doganës së Kosovës.

“Kompania ime nuk ka asnjë borxh ndaj Doganave dhe ata kanë shpikur një borxh për të cilin nuk kanë argumente. Pas kësaj jam ankuar tek Dogana, ku kanë dhënë dy vendime të ndryshme, një herë negative e pastaj pozitiv dhe tash Dogana ka pezulluar produktet tona”, tha Rexhepi

Ai hedh akuza të rënda ndaj menaxhmentit të Doganave për komprometime dhe dallavere. Eurogoma është shpallur kompania numër dy në regjionin e Prishtinës e cila nuk ka asnjë borxh ndaj shtetit.

“Duke parë se Dogana e Kosovës nuk përfill procedurat ligjore dhe nuk më jep asnjë përgjigje apo argument për një borxh (që nuk ekziston), unë do të padis në gjykatë Doganën dhe dikush do të japë përgjegjësi për këto parregullsi”, tha Ismet Rexhepi.

Edhe Skender Guta, menaxher i kompanisë Belieurofol tha se kanë probleme me Doganën tash një kohë dhe tashmë nga 1 dhjetori u është ndalur import-eksporti me Gjermaninë.

Ai tregoi se nuk kanë kurrfarë borxhi ndaj Doganave, “por ata kanë marrë vendim se kinse paskemi borxh 105 mijë euro”.

“Nëse nuk merret ndonjë veprim i ligjshëm, ne detyrohemi që të mbyllim fabrikën dhe 20 punonjësit që kemi do ti lëmë pa punë dhe do të humbim import-eksportin me investitorët gjermanë. Ky veprim është një njollë e keqe për investitorët e huaj”, tha Guta.

Burim Piraj, pronar i fabrikës së mishrave Meka, kërkoi nga Doganat që të krijojnë lehtësira për bizneset e jo që të pezullojnë veprimtarinë e tyre.

Edhe Hysni Zogaj, menaxher i minierës së Goleshit, tha se Doganat e Kosovës janë shndërruar në doganë private dhe nëse nuk bëhet ndonjë ndërhyrje do të ketë pasoja dhe probleme. (KosovaPress)