Dogana pezullon importin e mbi 200 kompanive

Dogana e Kosovës ka pezulluar importin e mbi 200 kompanive kosovare të cilat kanë borxhe të akumuluara nga periudha 2012 - 2013.

Lajme

06/12/2014 14:05

Për shkak të borxhit që kanë ndaj Doganës së Kosovës , mbi 200 kompanive i është pezulluar importi i mallrave. Këto kompani kishin borxhe të akumuluara nga periudha 2012 dhe 2013.

Kështu u tha gjatë një takimi që drejtori Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna zhvilloi me udhëheqësit e Odës ekonomike të Kosovës dhe Odës Amerikane në Kosovë

Rafuan ka thënë se dogana këtë vendim e kanë marrë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, pasi këto kompani nuk iu kanë përgjigjur ftesave dhe vendimeve për inkasim të borxhit doganor.

“Pra fillimisht duhet të bëhet pagesa dhe nëse ka vendim nga organet kompetentei cili i liron kompanitë nga kjo pagesë atëherë mjetet ri-kthehen. Kompanive iu është mundësuar pagesa e borxheve me kiste ashtu që të mos krijohet një barrë financiare imediate për kompanitë e identifikuara. Vlen të theksohet se menjëherë pas aplikimit të kësaj mase pezulluese kanë filluar edhe pagesat e disa prej kompanive, të cilat kanë shlyer edhe borxhet e tyre”, thuhet në një komunikatë të Doganës së Kosovës.

Rafuna theksojë se ky borxh dhe pagesat të cilat dogana kërkon janë para publike të cilat shkojnë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe që të gjitha kthehen përmes investimeve publike.

Ndërsa Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu dhe drejtori i OAK, Arjan Zeka shprehen përkrahje të fortë për masat e ndërmarra nga Dogana e Kosovës dhe vlerësuan lartë mundësinë e cila u jepet bizneseve që borxhet të paguhen me kiste. /Kosovapress/