Dogana e Kosovës heq udhëzimet e UNMIK-ut

Agjentët doganorë të Doganës së Kosovës tash e tutje do të punojnë me udhëzues të ri. Deri më tani këta agjent kanë punuar me udhëzues që e kishte sjellë UNMIK-u në vitin 2000.

Lajme

02/08/2014 15:10

Agjentët doganorë të cilët deri më tash kanë punuar në mënyrë të pa licencuar, një gjë të tillë tash e tutje nuk do të mund ta bëjnë. Ata do t’i nënshtrohen disa procedurave ku duhet të mos kenë dosje kriminale, të kenë edukim adekuat, t’i nënshtrohen trajnimeve që do të organizohen nga dogana dhe të kalojnë provimin profesional.

Kjo është bërë e ditur të shtunën nga zyrtarë të Doganës së Kosovës të cilët së bashku me përfaqësuese të Odës Ekonomike të Kosovës dhe EULEX-i kanë prezantuar udhëzimin e ri për agjentët doganier.

Drejtorit të përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se nga sot do të fillojë një kapitull i ri për doganat e bizneset dhe , sipas tij, më nuk do të veprohet sipas udhëzimeve të UNMIK-ut.

“Deri më tani të gjithë agjentët doganorë kanë vepruar sipas një udhëzimi të UNMIK-ut, i cili është sjellë në vitin 2000. Një udhëzim i cili nuk ka paraparë asnjë procedurë për t’iu nënshtruar ndonjë trajnimi ose për kalimin e një provimi profesional, siç është rregulluar në gjithë botën e zhvilluar, dhe ne tani me këtë udhëzim kemi paraparë të gjitha këto procedura dhe ne të arrijmë tani një standard që iu ofrohet të gjitha vendeve dhe doganave të Bashkimit Evropian”.

“Në bazë të kësaj procedure, të gjithë agjentët doganorë do t’i nënshtrohen një trajnimi intensiv i cili do të jetë i organizuar nga ana e doganës, me ekspertë dhe me profesorë të lëmive përkatëse. Më pas të gjithë agjentët doganorë do t’i nënshtrohen provimit profesional ku do të fitojnë autorizimin që të veprojnë si agjentë doganor. Është fushë shumë e rëndësishme për doganën për arsye se kur i kemi agjentët doganorë të zhvilluar, do ta kem edhe një doganë të zhvilluar, po ashtu është e rëndësishme për bizneset për arsye se bizneset me kosto shumë më të ultë edhe me shpenzime do të thotë shumë më të vogla do t’i realizojnë procedurat pranë doganës”, tha ai.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike e Kosovës (OEK) tha se me këtë udhëzim do të barten përvojat nga vendet e ndryshme, madje, siç tha ai, ky udhëzim administrativ është model në shumë vende të botës dhe Evropës.

“Sot po fillon një kapitull i internacionalizimit të ndërmarrësive kosovare, do të thotë ju e dini që në rrugëtim drejt familjes evropiane nuk duhet të jemi të orientuar vetëm në aspektin politik. Ekonomia është ajo e cila do t’i përshpejtojë këto procese dhe kur bisedohet për integrimin ekonomik internacionalizimit të ndërmarrësisë kosovare do të jetë një ndër sfidat kryesore”.

“Një udhëzim i tillë administrativ është model në Britaninë e Madhe, është në vendet evropiane, dh në po të njëjtën kohë, është edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj që do të jetë në funksion të zhvillimit, në funksion të përmirësimit të imazhit, dhe mbi të gjitha, në funksion të rritjes së kapaciteteve të këtyre agjentëve doganor që merren me këtë aktivitet’, ka thënë Gërxhaliu.

Michail Marden, shef i komponentës së doganës së EULEX-it, e falënderoi Doganën e Kosovës dhe Odën Ekonomike për këtë iniciative, duke u shprehur se kjo do të ndihmojë që në Kosovë të ketë njerëz profesionistë që do të merren me doganat.

Ndryshe, deri më tani në vend janë të regjistruara 156 kompani me 600 shpediterë.